“8 mijë euro”- Anxhela Peristeri zbulon pagesën më të lartë që ka marrë dhe pse është grindur më shpesh me personin e zemrës
Shpesh kur pyetemi për pagën apo shifrën më të lartë me të cilën jemi paguar, zgjedhim të mos përgjigjemi. Por, Anxhela Peristeri bëri të kundërtën.
E ftuar në emisionin “NIN”, gjatë rubrikës “Haje ose Thuaje”, Peristeri u përgjigj: “8 mijë euro”.
Kështu, ajo shpëtoi nga reçeli me mustardë, të cilin do ta kishte konsumuar në rast se nuk përgjigjej.
Këngëtares iu drejtua edhe një pyetje private, siç ishte ajo për arsyen më serioze për të cilën është grindur me personin e zemrës, nëse ka ose ka pasur.
“Unë nuk kam qenë pa person zemre, se jam 34 vjeç, kështu që mund të të jap shumë arsye grindjeje. E vetmja gjë që më acaron është xhelozia, për këtë mund të grindem. Pastaj, në qoftë se personi i zemrës grindet për gjëra të tjera, duhet të pyesni atë për çfarë grindet ai me mua”, tha Anxhela.
Gjatë bashkëbisedimit, Anxhela foli edhe sa i takon përfaqësimit që ajo do t’i bëjë Shqipërisë në festivalin “Eurovision 2021”, ku tha se është e përgatitur për gjithçka.
Peristeri mblodhi shumën më të madhe të pikëve nga juria e Festivalit të Këngës: 322 pikë, nga votimi i 11 pjesëtarëve të jurisë.
Muaj më parë, Peristeri rrëfeu edhe eksperiencën e saj të infektimit me Covid-19, periudhë gjatë së cilës iu desh të izolohej në Greqi. Pavarësisht se e ka pasur shumë të vështirë të mos dalë jashtë, ajo ka treguar se i jepte vetes forcë duke menduar se të paktën “nuk është sëmurë, ashtu si njerëz të tjerë që mund të ishin në spital në ato momente”.