600 dasmorë VIP në ceremoninë e djalit të Ylli Ndroqit, çfarë ndodhi në festë pas mesnate

Dasma deri në orët e para të mëngjesit e djalit të Presidentit të “RTV Ora News” Ylli Ndroqi, do të mbetet në historinë e ceremonive martesore shqiptare për veçantinë e organizimit në Pallatin e Kongreseve, si kurrë më parë. Mbi 600, ishte numri i të ftuarve në këtë darkë madhështore, mes të cilëve personalitetet më të rëndësishëm në vend të politikës, biznesit, medias, dhe fushave të ndryshme. Darka nisi me ceremoninë e celebrimit të Redon Ndroqit dhe partneres së tij nga Armenia, Mariam Akopyan, të cilët u kurorëzuan në altarin në stil mbreslënës në hyrje të Pallatit të Kongreseve. Dhëndri dhe nusja kishin zgjedhur të ishin klasikë në ditën e tyre, nën kujdesin e “Geraldina Sposa”, që realizoi dhe dekorin ceremonial. Të ftuarit VIP mbërritën rreth orës 21:00 në Pallat, dhe ranë në sy për kombinimet plot ngjyra, duke respektuar kështu kodin ceremonial të veshjes, që nuk lejonte ngjyrën e bardhë dhe të zezë, përkatësisht ngjyrat klasike të çiftit që lidhën kurorë. Një pistë e madhe kërcimi ishte improvizuar në qendër të sallës gjigante, në të cilën u pa jo vetëm çifti të performonin vallëzimin e tyre, por edhe të ftuarit VIP që u bashkuan me kërcimet e shpeshta në pistë. Në atmosferën e muzikës popullore e qytetare tiranase me këngëtarët Sinan Hoxha, Artiola Toska dhe Marsela Çibukaj dasmorët VIP vazhduan festën deri në orën 05:00 të mëngjezit, të ditës së diel. Darka luksoze në Pallatin e Kongreseve e djalit të pronarit të njohur të mediave, ishte finalja e madhe pas dy ceremonive më private në “Hotel Tirana”. Mesditën e djeshme qytetarët e metropolit u bënë dëshmitarë të ceremonialit sipas traditës tiranase të marrjes së nuses me pajton, që 27 vjeçari Redon Ndroqi zgjodhi për bashkëshorten e tij nga Armenia. Redoni dhe partnerja Mariam lidhin kurorë në Tiranë pas tre vitesh histori dashurie.