5 këshillat që rekomandojnë stilistët për të ‘pastruar’ rrobat e tepërta nga dollapi!
Tani, me siguri, po largoni rrobat e dimrit nga raftet e para, për t’u lënë vend atyre më pranverore.
Zakonisht, kjo periudhë e ndërrimit të rrobave për shkak të ndryshimit të stinëve, shoqërohet edhe me një spastrim të dollapit e të gjërave që mendoni se nuk ju duhen më.
Stilistja Christina Stein dhe ekspertë të tjerë, ju rekomandojnë këto këshilla për pastrimin e garderobës.
Hapi 1: Përcaktoni stilin tuaj
Nëse qëllimi juaj është të hiqni veshjet që nuk e përfaqësojnë shumë mirë stilin tuaj, fillimisht ndaloni një moment për të kuptuar si duket garderoba juaj ideale.
Stili është vizual, kështu që për të ditur se ku po shkoni, është shumë e dobishme ta shihni atë së pari. Hidhini një sy fotove të mëparshme apo veshjeve që ruani në Pinterest – sa nga rrobat që keni aktualisht s’kanë asnjë lidhje me stilin tuaj? Ato janë pikërisht rrobat që me siguri nuk ju nevojiten më.
Hapi 2: Identifikoni veshjet pa të cilat s’bëni dot, ato që vishni më shpesh
Stilistja e veshjeve dhe themeluesja e BuiltGracefully, Grace Thomas thotë për InStyle se hapi i parë në çdo pastrim veshjesh që ajo kryen është mbledhja e asaj që vesh më shumë dhe ndarja e tyre nga pjesa tjetër e garderobës.
Një mënyrë e thjeshtë për të menduar për këtë është nëse do të dilnit për darkë ose do të visheshit për punë, cilat janë elementët e parë që do ju shkonin ndërmend?
Hapi 3: Përça dhe pushto
Në vend që të ndani veshjet në dy grumbullime (ato që do mbani dhe ato që do hidhni/falni), ekspertja e modës dhe stilistja Naina Singla thotë të krijoni katër grumbull artikujsh: mbani, dhuroni, shisni dhe ‘ndoshta’.
“Filloni të nxirrni sendet një nga një, provojini ato dhe filloni t’i organizoni në grupe”, thotë Singla për InStyle.
Pasi të keni sistemuar nëpër kuti ato që do dhuroni dhe do shisni, bëni të njëjtin seleksionim me veshjet në grupin “ndoshta”: Pra, disa prej mund t’i mbani, të tjerat t’i shisni/dhuroni.
Hapi 4: Hiqni xhinset e tepërta
Kur bëhet fjalë për xhinset, “less is more” (pak është më shumë). Nëse mundeni, stilistja Tara West rekomandon ta kufizoni dollapin në vetëm 3 palë xhinse.
West sugjeron të zgjidhni tre stile të ndryshme, për shembull, xhinse të gjera, slim, me shtat më të lartë etj.
Hapi 5: Tani dhuroni, shisni dhe ricikloni
Do të ndiheni shumë mirë kur të kuptoni se veshjet që ju nuk i përdorni më, mund t’i hyjnë në punë dikujt tjetër apo kur të fitoni paratë e para nga shitja e garderobës suaj. Cilado qoftë zgjedhja që bëni, thjesht sigurohuni të mos e “mbysni” shtëpinë dhe dhomën, me gjëra që nuk ju nevojiten.
Burimi: In Style
Anabelmagazine