
“4 valixhe me drogë nga Tajlanda”, ish-sulmuesi i Arsenalit pranon tentativën për trafik droge
Jay Emmanuel-Thomas, 34 vjeç, ish-sulmues i Arsenalit dhe disa klubeve të tjera britanike, ka pranuar fajësinë për përpjekjen për të futur 60 kilogramë kanabis në Mbretërinë e Bashkuar, me një vlerë tregu prej rreth 600 mijë paundësh.
Lënda narkotike u zbulua në 2 shtator 2024 në Aeroportin Stansted në Essex, kur dy gra – partnerja e tij, Yasmin Piotrowska, 33 vjeçe, dhe shoqja e saj Rosie Rowland, 29 vjeçe – mbërritën nga Bangkoku i Tajlandës me katër valixhe të mbushura me drogë. Në secilën valixhe u gjetën 15 kilogramë kanabis.
Emmanuel-Thomas pranoi se kishte organizuar trafikun dhe u shpreh në gjykatë se ndjente keqardhje për përfshirjen e Piotrowskës në këtë plan kriminal. Ai pranoi fajësinë për akuzën e “shmangies me mashtrim të ndalimit për import droge” në periudhën 1 korrik – 2 shtator 2024.
Ndërkohë, akuzat ndaj dy grave u hodhën poshtë pasi, sipas prokurorit David Josse KC, analiza e telefonave tregoi se ato besonin se po sillnin ar nga Tajlanda, jo drogë. Gjykatësi Christopher Morgan urdhëroi regjistrimin e vendimeve “i pafajshëm” për të dyja gratë, të cilat u liruan menjëherë, shkruan A2 CNN.
Pas ngritjes së akuzave, Emmanuel-Thomas u përjashtua nga klubi skocez Greenock Morton. Ish-lojtari i njohur gjithashtu për periudhat e tij te Ipswich Town, Bristol City dhe Aberdeen, është baba i dy fëmijëve dhe do të dënohet në një seancë të ardhshme.
Ligji britanik parashikon një dënim maksimal deri në 14 vite burg për trafik të tillë droge. (A2 Televizion)