4 muaj e shtrirë te Trauma, 22-vjeçarja nga Kenia del nga koma
Pas katër muajsh, 22 vjeçarja keniane Joyce Achieng Aoko ka dalë nga koma. E reja, e cila u shtrua në spitalin e Traumës më datë 14 gusht 2022 pasi u gjet pa ndjenja, me shenja të dukshme dhune, poshtë ballkonit të dhomës ku jetonte në Tiranë, është jashtë rrezikut për jetën.
Ajo mbijetoi, por ka pësuar një dëmtim në tru, duke e lënë në gjendje vegjetative.
Gjendja vegjetative përshkruhet si “zgjimi pa vetëdije”. Pacientja në këtë gjendje i hap sytë dhe duket sikur është zgjuar.
“Koma mund të jetë reversible kur mund të kthehet dhe ireversible kur nuk kthehet, në këtë rast është vegetative ku truri nuk funksionon dhe vetëm zemra funksionon, por kanë humbur funksionet e njohjes. Pacienti mund të ushqehet, të jetojë por nuk njeh, nuk komunikon, kjo është koma vegetative. Për hollësi në lidhje me rastin tuaj, duhet komunikuar me mjekun përgjegjës që ndjek pacientin”, tha mjeku anestezist reanimator, Agron Xheta, për Gazeta Express.
Krimi i rëndë ndaj punonjëses së kazinosë ka ende shumë rrethana të pasqaruara. Kallëzimin për zhdukjen e papritur të 22 vjeçares e bëri Emili, shoqja e saj e dhomës në rezidencë, pothuaj 17 orë pasi Joyce nuk gjendej, e shoqëruar nga ish-i dashuri i Joyce. Që nga ajo ditë e deri më sot ende nuk ka asnjë të dyshuar ndonëse pista e dhunimit vërtetohet edhe nga përgjigjia e Prokurorisë.