4 arsye pse disa njerëz nuk ndryshojnë kurrë stil
Më zgjoni kur Flori Mumajesi të mos veshë më bluzë të zezë. Çfarë kanë të përbashkët pothuajse të gjitha veshjet e Flori Mumajesit nëpër dalje të rëndësishme, si koncerte apo festivale? Po, bluza e zezë, xhinset e errëta dhe atletet. Gjithmonë njësoj. Flori, si shumë të tjerë, është një nga ata që nuk ndryshon kurrë stil. Cilat mund të jenë arsyet që i shtyn njerëzit të mos ndryshojnë? Të mos merakosen fare se çfarë do të veshin dhe të mos guxojnë kurrë?
Dikush prej jush mund të thotë se “ashtu u pëlqen”. Patjetër që qëndron si arsye, mirëpo nuk është e vetmja. Ja disa arsye që mendojmë se ndikojnë shumë, jo detyrimisht në rastin e Florit, por në përgjithësi.
1 – Identiteti: Identiteti ynë ndikon te mënyra se si marrim vendimet, përfshirë këtu edhe veshjen. Është shumë e lehtë të krijosh një identitet rreth gjërave të dukshme, të jashtme, të cilat lidhen me çfarë jemi, pra të brendshmen tonë. Shumë njerëz nuk e duan ndryshimin sepse thjesht nuk u përshtatet dhe nuk i përmbush. Dëshira për t’i qëndruar besnik identitetit të tyre është më e fortë se dëshira për të ndryshuar.
2 – Lidhja me të njohurën: Psikologjikisht, njerëzit priren të lidhen më shumë me atë që është e njohur për ta, tërhiqen nga gjërat që e dinë se u përshtaten. Diçka e re, jashtë stilit tonë, mund të na vendosë në dyshim dhe kështu me shumë gjasë do të përfundojmë te ajo që zgjedhim gjithmonë. Pak a shumë si kur sheh menunë – e lexon të gjithën dhe merr të njëjtën gjë si përherë.
3 – Po sikur të shkojë keq? Disa njerëz thjesht nuk e duan ndryshimin sepse nuk preferojnë të gabojnë. Për ta është e rëndësishme të qëndrojnë në një terren të sigurt.
4 – Thjesht ndihen mirë dhe nuk e mendojnë shumë: Kjo është arsyeja jonë e preferuar. Kaq e thjeshtë!
/Anabelmagazine