34-vjeçarja me Covid ndërron jetë në spital, rritet numri i rasteve të reja
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 67 raste të reja. Një 34-vjeçare e prekur me Covid ka ndërruar jetë ditën e sotme.
Mësohet se e ndjera nga Librazhdi vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti dhe hipertensioni. Ajo ishte shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv, ndërsa ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. 34-vjeçarja është viktima më e re në moshë që nga nisja e pandemisë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve të reja shtrihet në disa qytete, ku Kruja dallon me numrin më të lartë të të prekurve – plot 18 raste. Në Tiranë janë konfirmuar 16 raste, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë.
Aktualisht, në të gjithë vendin janë 850 persona aktivë me Covid. Në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 82 pacientë. Prej tyre, 14 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë shëruar 22 pacientë. Ministria e Shëndetësisë, si çdo ditë ka bërë thirrje që të respektohen masat e distancimit, mbajtja e maskave si dhe zbatimi i protokollit të vendosur për bizneset. /News31.al
Burimi: Top Channel