26 vjet karrierë/ Sokol Xhepa, mjeku i sukseseve që drejton Shërbimin e Kirurgjisë Vaskulare në QSUT

Prof. Dr. Sokol Xhepa është drejtuesi i Kirurgjisë Vaskulare në QSUT.

Kirurgu ka një eksperiencë të shkëlqyer dhe të gjatë në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Prej vitesh ai qëndron në krye të Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare në QSUT, ndërsa në mjekësi ka një karrierë të gjatë prej 26 vitesh si kirurg vaskular.

Në veçanti mjeku shquhet për trajtimin kirurgjikal të stenozave të arterieve karotide, të trombozave të arterieve periferike dhe të venave varikoze (variçeve) të ndërlikuara.

Kirurgu Xhepa njihet për qasjen inovative, frymën bashkëpunuese, si dhe përkushtimin për avancimin e kirurgjisë vaskulare dhe përmirësimin e rezultateve të pacientëve.

Ai është një ndër kirurgët vaskularë me më tepër eksperiencë në Shqipëri, me specializime dhe me trajnime të shumta ndërkombëtare.

Sokol Xhepa ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ndërsa ka kryer specializime në Rumani, Shqipëri dhe Gjermani.

Prof. Xhepa është lektor në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë dhe ka një aktivitet të gjerë si organizator, drejtues dhe pjesëmarrës në referime dhe aktivitete shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Kirurgu është vënë jo pak herë në qendër të vëmendjes së mediave, pasi ka kryer me sukses ndërhyrje komplekse në aortë./ CNA