19 vjet martesë dhe tradhtia e përfolur, Victoria Beckham flet për jetën me David Beckham

David dhe Victoria Beckham kanë folur më në fund për zërat mbi divorcin që u përhapën pak muaj më parë. Në një intervistë për kopertinën e revistës “Vogue”, Victoria tregoi sekretin e martesës 19-vjeçare, dhe sqaroi thashethemet për tradhtinë e bashkëshortit. 44-vjeçarja u shpreh se njerëzit kanë shpikur gjëra për marrëdhënien e saj me David për 20 vjet, kështu që ata të dy janë mësuar të injorojnë absurditetet që thuhen për ta dhe të vijojnë të bëjnë një jetë normale.

Megjithatë Victoria pranon se këto thashetheme kanë një efekt të madh te njerëzit e tyre të dashur, siç janë fëmijët. Duke folur për familjen e saj ajo thekson: “Ne të dy e kuptojmë që jemi më të fortë kur jemi bashkë, sesa kur jemi të ndarë. A do të ishim në të njëjtën pozitë që jemi sot nëse nuk do të kishim qenë bashkë gjithë këto vite? Gjithçka varet te familja e bashkuar. Ne jemi më të fortë, të gjashtë bashkë. E respektojmë lidhjen familjare dhe ky është çelësi”. Në qershor u përfol se çifti Beckham po shkonte drejt divorcit. Gjatë kësaj kohe të vështirë për familjen, Victoria dhe David mblodhën fëmijët dhe folën për situatën e tyre. Ata janë shumë transparentë me fëmijët e tyre dhe gjithmonë këmbëngulin që t’i marrin vesh gjërat nga goja e tyre, shkruan IconStyle. Victoria dhe David i siguruan fëmijët se asgjë nuk ishte e vërtetë dhe se babi nuk e kishte tradhtuar mamin.