Andonia Dobi: Historia ime me të dashurin rrallëherë mund të dëgjohet, si më ndryshoi jeta në pak kohë

Nga skenat në klipe tek setet e fotove artistike, jeta e saj duket po aq e bukur sa ajo vetë. Një vit pasi u shfaq në klipin e këngëtarit Ardian Bujupi dhe Dalool me titull “Na jena njo”, ish-asistentja e Arian Çanit në “Zonë e lirë”, Andonia Dobi rikthehet me një listë të gjatë projektesh si modele, kontratë me një “brand” ndërkombëtar dhe një partner ideal në krah. Modelja 20 vjeçare e spikatur nga fotografi i njohur Sonny K. Elson, e cila në projektin e fundit u shfaq përkrah blogerit Erald Farruku rrëfen ekskluzivisht për revistën “Story” jetën e re jashtë kamerave dhe lidhjen e dashurisë që do e ëndërronte çdo vajzë.  

Si po vazhdon puna jote si modele, je përfshirë në ndonjë projekt të rëndësishëm?
Puna ime si modele po ecën jashtëzakonisht shumë mirë, dhe projektet janë aq të shumta sa do të më duhej shumë kohë t’i rendisja të gjitha.

Ke marrë ofertë nga stilistë të njohur në botë dhe si e sheh veten në tregun ndërkomëbtar?
Aktualisht jam duke punuar për një brand të huaj me shtrirje ndërkombëtare me fotografin shqiptar, Endrit Mertiri.

Po pas famës në televizion si asistente e Arian Çanit në ”Zonë e lirë” ke marrë ndonjë propozim për të punuar sërish në televizion?
Po, kam marrë një ofertë po nuk mund të angazhohesha me atë projekt sepse do të më merrte një pjesë të mirë të kohës nga puna që unë bëj aktualisht.

Disa foto të tuat të realizuara në një banjo turke kanë bërë përshtypje në rrjetet sociale. Ishe për punë apo për qejf në Turqi?
Normalisht në Turqi kam qenë duke punuar, por krahas punës duhet të kisha dhe unë momentet e relax-it.

Ndërkaq eksperienca jote si modele shtrihet nga klipet muzikore tek setet fotografike. Ku ndihesh më mirë gjatë punës?
Puna ime është e lidhur ngushtë me fotografinë, dhe normalisht aty ndihem vetvetja.

Këto kohë që nuk shfaqesh në ekran duke se ke pasur të reja në çështjet e zemrës.Të kemi parë me një djalë një krah, është i dashuri dhe ç’mund të zbulosh për njohjen tuaj?
Njohja me të ka qenë, është dhe do të mbetet një nga historitë më të bukura që rrallëherë mund të dëgjohet.

Çfarë të bën të ndihesh e plotësuar dhe çfarë nuk duron kurrë tek partneri?
Unë e perceptoj ndryshe nga shumë njerëz lidhjen me partnerin. Fatmirësisht prandaj thashë se është historia më e bukur, sepse çdo gjë është në vendin e vet, dhe çdo gjë përputhet ekzaktësisht ashtu si çdo vajzë do të donte. Mendoj se thashë mjaftueshëm!

 

Më thonë se ngjaj me Candice nga “Victoria Secret”, ja si e menaxhoj bukurinë

Me cilën modele të famshme të krahasojnë kur të shohin?
Kam dëgjuar të më thonë se ngjaj me Candice nga “Victoria Secret” apo me Stormy bree.

Me bukurinë çfarë mendon se ke arritur deri tani, po me zgjuarsinë sa lart mund të ngjitesh?
Fatmirësisht kam ditur dhe do të di t’i gërshetoj të dyja, edhe bukurinë edhe zgjuarsinë. Prandaj jam sot këtu ku jam.

Për të ruajtur elegancën që ke çfarë duhet bërë?
Për të ruajtur elegancën që kam? Asgjë përveç kujdesit ndaj ushqimit që konsumoj.