15-vjeçari që realizoi mrekullitë, miratohet shenjtërimi i “influencerit të Zotit”

Një adoleshent londinez, aftësia e të cilit për të shpërndarë online mësimet e kishës katolike e bëri të quhej “influenceri i Zotit” do të bëhet shenjtor.

Carlo Acutis vdiq në moshën 15-vjeçare dhe do të ishte i pari i lindur në fundin e viteve ’90 që shenjtërohej.

Papa Françesku i ka atribuar edhe një mrekulli të dytë, shërimin e një studenti në Firence që kishte hemorragji në tru pas një traume në kokë.

Carlo Acutis ishte bekuar (hapi i parë drejt shenjtërimit) në vitin 2020 pasi iu njoh mrekullia e parë: shërimi i një fëmije brazilian pasi një sëmundje e lindur i kishte prekur pankreasin.

Mrekullia e dytë u miratua nga Papa pas një takimi me departamentin e posaçëm të Vatikanit. Nuk dihet ende se kur do të kryhet shenjtërimi.

Mrekullitë hetohen dhe vëzhgohen për disa muaj. Një njeri mund të shenjtërohet pasi ka realizuar dy mrekulli. Që të quhet e tillë, akti duhet të shihet si diçka që është përtej së mundurës si shërimi i papritur i një njeriu në prag të vdekjes.

15-vjeçari ndërroi jetë në Monza, Itali pasi u diagnostikua me leucemi. Trupi i tij u zhvendos në Assisi një vit pas vdekjes dhe prehet në një vend të dukshëm bashkë me shumë relike të lidhura me të.

Përveçse dizenjonte faqe interneti për famullinë dhe shkollën e tij, ai kishte hapur një faqe ku kërkonte të dokumentonte çdo mrekulli të raportuar të realizuar nga rituali i shenjtë i falenderimit, i cili u lançua disa ditë përpara vdekjes së tij.

Pseudonimi “influenceri i Zotit” iu vendos pas vdekjes pikërisht prej punës së tij. Faqja e internetit është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është përdorur si bazë për një ekspozitë që është shfaqur në vende të ndryshme të botës./tvklan.al