Historia e largimit të Luana Vjollcës nga “Top Channel”, moderatorja e konfirmon por refuzon të bëjë koment
Sezoni i ardhshëm televiziv është fare pranë, por Luana – një Virgjëreshë punëtore, karakteristikë që e përmend vazhdimisht – nuk po shfaqet me ndonjë postim që mund të ngacmojë pak se edhe ajo ka nisur përgatitjet e emisioneve. Ndërkohë që duket si dje dita kur Luana përflitej si moderatorja e mundshme “Big Brother VIP” (që përfundimisht do të prezantohet nga Arbana Osmani) së fundi thuhet se do të largohet nga Top Channel.
Gazeta Express shkruan se Luana i ka dhënë fund bashkëpunimit me Top Channel. “Arsyet që dërguan deri në prishjen e kontratës mes tyre nuk dihen ende, por gjasat janë që show-n e saj që jemi mësuar ta shohim çdo shtator, ta ndjekim nën logon e ndonjë televizioni tjetër,” shkruan Express.
Shtatori duket se nuk do ta gjejë Luanën në televizion, të paktën në Top Channel. Orari i transmetimit të “Shiko kush luan” do të zëvendësohet nga “Big Brother VIP”. Me një llogaritje të thjeshtë, përpos “Big Brother VIP”, një ditë është “Portokallia”, 2 ditë “Open”, një ditë do të jetë seriali $NOB, që siç është bërë me dije do të nisë në vjeshtë në Top Channel. Pra, mbeten vetëm 2 ditë bosh në programacionin javor.
Thënë kjo, ka pak gjasa që “Shiko kush luan”, apo “Take me out”, ky i fundit emision për të cilin Luana e quan ende veten autore në Bio-n e Instagramit, të nisin këtë vjeshtë.
Përsa i përket zërave të largimit nga Top Channel, Luana nuk iu përgjigj kërkesës së Anabel për koment.