100-vjetori i lindjes së “Artistit të Popullit”, Kadri Roshi
100 vjet më parë lindi kolosi i skenës e ekranit shqiptar, Kadri Roshi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.
Ai lindi më 4 janar të 1924-ës, në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën në moshën 2-vjeçare dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur i vdiq edhe i ati.
Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 përfundoi edukimin universitar në Pragë. Me t’u kthyer në atdhe, Roshi interpretoi rolet e para në Teatrin Kombëtar.
Kadri Roshi ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop në teatrin “Dhelpra dhe rrushtë”, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”; nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në filmin “Liri a vdekje”, deri tek plaku Mere në filmin “Njeriu me top”.
Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).
Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999. U nda nga jeta më 6 shkurt 2007.
Ora News