U arrestua për përhapje paniku, lirohet vajza nga Durrësi

25-vjeçarja nga Durrësi, Xhuliana Aliaj e cila u arrestua tre ditë më parë me akuzën e përhapjes së panikut, pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin, është lënë e lirë nga Gjykata ditën e sotme. Ajo doli këtë të hënë përpara togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë. Vendimi i marrë ishte detyrim paraqitje.

E reja u akuzua për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Sipas policisë ajo postoi në Facebook “shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve“.

Termet-2

Dy statuset për të cilat u arrestua Xhuliana

Në dy statuse në rrjetet sociale, 25-vjeçarja bënte thirrje qytetarëve që të largohen nga Porto Romano për shkak se nga tërmeti ishte çarë hidrovori dhe mund të shpërthente depozita e gazit.

“Ju lutem ikni nga Porto-Romanoja. Eshte kris hidrovori dhe mund te shperthejne depozitat e gazit nqs bir prape termet. Ikni!”

Ndërsa në një status tjetër shkruante: “I lutemi shtetit dhe autoriteteeve të portit të naftës në Porto-Romano të vlerësojnë gjendjen e depozitave me nafte dhe gaz. Kemi shume frike! Presim pergjigje!”