Si ndikon Koronavirusi tek fëmijët?

Përhapja me shpejtësi e Koronavirusit duke mos kursyer asnjë grup moshe ka përhapur panik dhe shqetësim tek të gjithë kryesisht tek prindërit për fëmijët, ndonëse sipas studimeve që janë bërë deri në këto momente vetëm 2 -13% e të prekurve nga Covid-19 janë fëmijë. Deri më tani duket se ata janë të mbrojtur apo rezilientë ndaj efekteve më problematike të virusit. Komuniteti mjekësor është akoma i pasigurt për të dhënë një përgjigje të plotë dhe të saktë rreth faktit se pse organizmi i tyre reagon më mirë ndaj këtij virusi. Megjithatë, nga disa mendime paraprake studiuesit thonë se organizmi i fëmijëve reagon më shpejt dhe arrin të luftojë infeksionin. Mirëpo të shumta janë pyetjet që prindërit i bëjnë vetes dhe nuk marrin dot përgjigje për të siguruar fëmijët e tyre. Në një artikull nga “World Vision” do të gjeni disa përgjigje të pyetjeve tuaja se si kjo situatë e re në të cilën ndodhemi do të ndikojë në jetën e fëmijëve.

Cilat janë simptomat që një fëmijë ka të ngjarë të përjetojë?

Fëmijët zakonisht kanë simptoma të lehta të tilla si ethe, sekrecione ose kollë. Këto simptoma janë të ngjashme me gripin e zakonshëm sezonal ose ftohjen e zakonshme. Për të konfirmuar nëse dikush ka COVID-19 është e nevojshme të kryhet një test laboratorik. Nëse dyshoni se fëmija juaj mund të ketë virusin, ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale shëndetësore. Derisa të bëhet testi përpiquni ta mbani fëmijën tuaj të izoluar, që të shmangni përhapjen e virusit tek persona të tjerë, veçanërisht grupmoshat më të rrezikuara siç janë të moshurarit.

Si mund ta mbaj fëmijën të sigurt?

Larja e shpeshtë e duarve me sapun ose higjenizues dhe zbatimi i rregullave të higjenës (kollitja ose teshtitja në bërryl ose në një shami letre, e cila hidhet më pas në një kosh të mbyllur) janë veprimet më të rëndësishme që duhet të bëjnë fëmijët, ashtu si edhe të rriturit. Ndihmoni fëmijët tuaj ta bëjnë zakon larjen e duarve dhe zgjidhni mënyra argëtuese dhe lojra për t’i inkurajuar.

Si përhapet COVID-19 tek fëmijët?

Virusi përhapet përmes pikave të pështymës nga një person i infektuar. Teshtitja dhe kollitja mund të përhapin pikat direkt te të tjerët, ose ato bien në sipërfaqe që më pas preken nga njerëzit. Fëmijët prekin shpesh fytyrën, kështu që virusi mund të kalojë lehtë nga dora në gojë, hundë apo sy. Lodrat, sipërfaqet e tryezave, dorezat e dyerve dhe dritareve, ekranet me prekje dhe sendet e tjera që prekin fëmijët duhet të dezinfektohen rregullisht për të ndihmuar në parandalimin e transmetimit të virusit.

Si mund t’i ndihmoj fëmijët e mi të mos mërziten dhe stresohen nga lajmet e vazhdueshme që shohin rreth Covid-19?

Ndihmoni fëmijët të gjejnë mënyra pozitive për të shprehur ndjenja të tilla si frika apo trishtimi. Një veprimtari krijuese, siç është loja dhe vizatimi mund të ndihmojë, megjithëse çdo fëmijë është i ndryshëm. Fëmijët kanë më shumë të ngjarë të komunikojnë ndjenjat e tyre në një mjedis të sigurt dhe mbështetës. Qëndrimi pranë i prindërve dhe të dashurve mund të ndihmojë fëmijët të ndihen të sigurt.

Kur fëmijët janë të stresuar ata zakonisht kërkojnë më shumë vëmendje janë më kërkues, kështu që kaloni kohë me fëmijën tuaj duke u përpjekur të kuptoni shqetësimet e tyre dhe t’i adresoni ato në mënyra që janë të përshtatshme me moshën e fëmijës.

A mundet që gratë shtatzëna të prekura me koronavirus ta kalojnë virusin te fëmijët e palindur?

Aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse virusi transmetohet nga një nënë te fëmija gjatë shtatëzanisë apo ndikimi i mundshëm që mund të ketë virusi tek fëmija. Kjo aktualisht po studiohet. Gratë shtatzëna duhet të vazhdojnë të ndjekin masat e nevojshme parandaluese.

A është e sigurt për një nënë të infektuar me koronavirus që të ushqejë fëmijën me gji?

Të gjitha nënat në zonat e prekura dhe të rrezikuara që kanë simptoma si ethe, kollë apo vështirësi në frymëmarrje, duhet të kërkojnë menjëhërë kujdes mjekësor.

Duke marrë parasysh përfitimet thelbësore të ushqyerjes me gji dhe rolin e vogël/të ulët të qumështit të gjirit në transmetimin e viruseve të tjerë të frymëmarrjes, nëna mund të vazhdojë ushqyerjen me gji, ndërsa zbaton të gjitha masat e nevojshme.

Gjithashtu, nënat me simptoma të COVID-19 duhet të mbajnë një maskë kur janë afër fëmijës, të lajnë duart para dhe pas kontaktit me fëmijën dhe të pastrojnë / dezinfektojnë sipërfaqet e ndotura ashtu siç duhet të bëhet në të gjitha rastet kur dikush me COVID-19 të konfirmuar ose të dyshuar ndërvepron me të tjerët, përfshirë fëmijët.