Mbërrin në Shqipëri trupi i pajetë i Gjergj Xhuvanit, familja ceremoni mortore private

Ka mbërritur sot në mëngjes në Rinas, trupi i pajetë i regjisorit Gjergji Xhuvani, i cili u nda nga jeta më datë 14 gusht, disa ditë më parë, në Romë, ku ndodhej për xhirimet e filmit të tij të fundit, “Liqeni im”.

Familja dhe të afërm kishin dalë në aeroport për të marrë trupin dhe më pas për të kryer kryer ritet mortore, në një ceremoni që familja ka gjedhur të jetë private, jo me homazhe shtetërore.

Xhuvani do të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 14:00.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj.Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani pritej të prezantonte në kinema realizimin e fundit kinematografik,“Liqeni im”.