“Isha si magnet për meshkujt. Televizioni ka qenë dhe Ferri dhe Parajsa”, çfarë rrëfente disa vite më parë spikerja e ndjerë Stoli Beli

Spikerja e parë e lajmeve në Radio Televizionin Shqiptar Stoli Beli, e cila ndërroi jetë jetë në moshën 91-vjeçare një ditë më parë, në një intervistë për Gazetën Panorama në vitin 2011 rrëfente se si televizioni kishte qenë për të edhe Ferr, edhe Parajsë.

Ajo u shfaq për herë të parë në studion e RTSH-së në datën 29 prill të 1960, suke prezantuar me fjalët: Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë `Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar.”

Përveçse ishte spikerja e parë e ekranit të RTSH-së, ajo më pas u bë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë në Shqipëri.

INTERVISTA E PLOTE E SPIKERES STOLI BELI PER PANORAMA, NE VITIN 2011:

Është një jetë në ekran që nis me rroba borxh, për t’u bërë më pas VIP, atëherë kur VIP-i nuk dihej ende se ç’ishte. Publiku e adhuronte, kolegët e përgëzonin, personalitetet e respektonin, ndërsa meshkujt… e ngacmonin. Edhe vetë Stolia e pranon se ka qenë si magnet për meshkujt, të cilët e prisnin në radhë teksa dilte nga puna dhe i kërkonin për ta shoqëruar. Megjithatë, ajo nuk zgjodhi asnjë nga ata, por Xhevdetin, një djalosh nga larg, mësuesin e Beratit që për ta transferuar më pas në Tiranë, u desh të ndërhynte drejtori i Televizionit, Thanas Nano. Por prisni, ta marrim rrëfimin nga fillimi, sepse para Thanasit, në vitin 1960, ishte një tjetër drejtor, Petro Kita. Ai e thirri në zyrë Stolinë dhe i tha diçka të rëndësishme …

Çfarë ju tha?

Hyra në zyrën e drejtorit Petro Kita dhe një parandjenjë më thoshte se do të dëgjoja diçka lidhur me risinë e fundit, televizionin. Petro Kita më priti me dashamirësinë e tij karakteristike dhe hyri drejt e në temë. Më tha që duhet të rregullohesha dhe të bëhesha më e bukur se kurrë, pasi isha zgjedhur për të hapur programin e natës së parë të qendrës televizive.

E prisnit këtë ofertë?

Nuk më kishte shkuar kurrë në mendje që jeta do të më kishte ofruar privilegjin e madh që të isha folësja e parë e ekranit të vetëm televiziv në Shqipëri. Dhe jo vetëm, për shkak të rrethanave, u bëra gazetarja dhe redaktorja e parë e televizionit. U hutova. Zemra më rrihte fort nga emocionet, më kishin zgjedhur mua. Dhe e merrja me mend që nuk bëhej fjalë vetëm për pamjen.

Për çfarë tjetër?

E rëndësishme ishte që të flisje bukur. Të ndaje fjalët, t’u jepje tonin e duhur, të dije t’u drejtoheshe njerëzve. Falë mikrofonit të Radio Tiranës, këto cilësi nuk më mungonin. Nuk arrija dot të flija. Ishte një sfidë e madhe, të cilën duhet ta fitoja si për veten, ashtu edhe për ata që besonin te unë. Ndërkaq, më lindi edhe një problem…

Çfarë problemi?

Veshja. Inxhinierët gjermanë më sugjeruan që patjetër të vishja diçka të verdhë, si më e përshtatshmja ngjyrë për transmetimin bardhë e zi. Unë nuk kisha dhe fillova të mendohem se ku mund të gjeja. U nisa me vrap te hotel “Dajti”, ku në lokal gjeta disa gra. Para se të arrija aty, kisha rregulluar flokët si mundja më mirë dhe kisha blerë një buzëkuq të lehtë, të cilin e kisha vënë. Kështu që, sa arrita te lokali, njëra nga gratë u çudit dhe më pyeti nëse kisha ndonjë dasmë, që isha krehur dhe lyer buzët. Si e zënë në faj, i thashë që jam zgjedhur për të hapur programin në televizion. Në atë moment, gratë u kthyen të gjitha menjëherë dhe të çuditura përsëritën: “Televizioniiit”???. Tunda kokën në shenjë pohimi. Atëherë njëra prej tyre më komplimentoi: “Pikës i kanë rënë, se je edhe e bukura e dheut”. Unë u skuqa dhe duke e falenderuar, mërmërita gjithë emocion: “Më kanë thënë që mund të jesh e bukur, por ekrani nuk të nxjerr gjë”. Por gratë më dhanë kurajo, duke më thënë që “do dilja yll, e mos ta vrisja mendjen”, dhe ndërkohë më gjetën edhe një bluzë të verdhë. Kur po kthehesha sërish për në punë, me dhjetëra punonjës të radios më prisnin jashtë ndërtesës dhe më uronin gjithë dashamirësi, a thua se po shkoja në ndonjë betejë. Apo ishte vërtet e tillë?

Ma thoni ju këtë…

Ishte, sepse me atë çfarë do të bëja atë natë, do të hyja në histori.

Dhe çfarë bëtë?

29 prill 1960, ora 18.10 minuta. Në ekran doli një tekst i vogël katror, që shoqërohej me muzikë. Më kishin ulur në një karrige modeste. Para meje kishin vënë kamerën e vetme dhe dy prozhektorë të mëdhenj, drita e të cilëve më binte mbi fytyrë dhe më bezdiste, aq sa më shkaktonte përpëlitje sysh pa fund dhe mezi u mësova. Rreth meje qëndronin si të ngrirë dhe në ankth ata pak njerëz që punonin aty. Krejt natyrale, përveç një buzëkuqi, po shihja kamerën me pak buzëqeshja dhe ndërkohë dridhesha nga brenda prej emocioneve. Pas pak, dëgjova urdhrin: “Fillo!”. Dhe unë fillova…

Si filluat?

Të dashur telespektatorë, mirëmbrëma! Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar, fillon sonte për herë të parë programin e saj. Së pari, filmi për fëmijë: “Cirku i arinjve”, një koncert nga kompleksi i ushtrisë, një dokumentar mbi artistin e madh shqiptar, Aleksandër Moisiun dhe filmi artistik “Vollga, Vollga”. Ja pra, këto ishin fjalët e fillimit, ndërsa në ekran u shfaq më pas filmi për fëmijë. Nga ky moment nisi vrapimi im sa në Radio e sa në Televizion, deri në çastin që më thirrën në zyrën e drejtorit të ri.

Që ishte?

Thanas Nano. Ai zëvendësoi Petro Kitën. Thanas Nano nuk kishte shumë që kishte ardhur, por shquhej për zotësi, kulturë të gjerë dhe korrektësi.

Për çfarë ju thirri në zyrë?

Ai ma tha me shumë delikatesë që të kaloja me kohë të plotë në televizion: “Stoli, ti e kupton vetë që, “foshnja” që erdhi në jetë më 29 prill, ka nevojë të rritet e të forcohet. Kjo kërkon që t’i përkushtohemi shumë. Për këtë, kemi menduar që të kalosh në televizion, si punonjëse me kohë të plotë”. Ai tha “kemi menduar”, por unë e kuptova që kjo gjë tashmë ishte vendosur. Isha caktuar që të punoja me kohë të plotë jo vetëm si spikere e ekranit, por edhe si gazetarja dhe redaktorja e parë e Televizionit Shqiptar, po ashtu edhe si krijuese e emisioneve.

Sa drejtorë keni ndërruar gjatë 40 viteve punë në TVSH?

E ku numërohen ata, iknin e vinin, por unë kam qenë aty…

A ju kontrollonin tekstet apo programet para transmetimit?

Sigurisht. Kontroll i rreptë. Në televizion u krijua dhoma e kontrollit. Aty shiheshin të gjitha. Për shembull, në emisionin e fundit timin, “Muzikë për të gjithë”, duhej teksti, gjeografia e muzikës, këngët etj. Mirëpo, në dhomën e kontrollit më thoshin, duhet të heqësh atë që ka vath, që ka rruaza të mëdha, që ka manikyr shumë, që ka tualet shumë… Pra, në këto ekzagjerohej kërkesa, ndaj kur futesha në montazh, e kisha tmerr.

Duke qenë se fillimisht nuk kishit përvojë në ekran, kush ju mësonte?

Asnjeri. Çdo gjë më duhej ta bëja për herë të parë. Ta krijoja vetë. Të provoja dhe guxoja vetë. Pra, nxënësja dhe mësuesja mbanin emrin tim, Stoli Beli. Ndaj, kur shfaqesha përnatë në ekran, ishte sikur kisha çdo mbrëmje provim. Edhe pse punoja pa fund me shumë pak njerëz dhe teknologji të vjetruar, sërish dilnin të papritura nga më të çuditshmet, sado e organizuar të isha.

Për shembull, një episod të këtij tipi?

Po kujtoj një episode me një personazh që është aktual. Vendosëm të organizonim konkursin e historisë, me pjesëmarrjen e gjimnazistëve të Tiranës. Pyetjet u përpiluan nga historian Selim Islami dhe konkursi u drejtua nga Kiço Fotiadhi. Ndër të tjerë, ishte parashikuar që të vinte edhe aktori Timo Flloko për të recituar poezinë “Për Skënderbeun”. Minutat kalonin, por ai nuk po dukej gjëkundi. Nuk po më mbante vendi. Mendoja më të keqen, që mbase ai nuk do të vinte dhe me çfarë ta zëvendësoja, por ç’mund të bëja në një rast të tillë ku transmetimi ishte direkt… Më kujtohet si sot, sa shumë shi binte jashtë dhe ishte një mbrëmje krejt e zymtë. Nuk kisha luksin të mendohesha gjatë. Rrëmbeva një çadër gjysmë të prishur dhe u nisa drejt Institutit të Arteve. E lagur komplet, hyra në sallën ku regjisorja Drita Agolli po zhvillonte provat dhe pa e përshëndetur, direkt u përkula duke e parë me sy lutës: “Ju lutem shumë, më jepni Timo Fllokon, se po i vjen radha. Nuk kam më kohë…!”. Sytë habitës në sallë ishin të gjithë mbi mua dhe atëherë e kuptova se duhej të sqaroja situatën. Në pak minuta, dolëm që të dy me Timon dhe ia futëm vrapit për në televizion, ku arritëm të kapnim transmetimin në kohë rekord. Këto lloj episodesh janë ferri televiziv i transmetimit televiziv dhe unë kam qenë në Ferr.

Po në Parajsë, ke qenë?

Hahahaha. Televizioni ka qenë dhe Ferri dhe Parajsa për mua. Më ka lodhur shumë, por edhe më ka lumturuar.

A kishte rreth e rrotull kësaj “ferr-parajse” meshkuj që të vinin vërdallë?

Drejt të them, kam qenë si magnet për meshkujt. Isha shumë e lakmuar, si për pamjen, punën, por edhe për edukatën time. Pra, normalisht, në skedarin e fansave, sigurisht kishte edhe djem të rinj, të cilët prisnin me durim para televizionit që unë të mbaroja punë dhe të dilja. Natyrisht, ata nuk kishin kërshërinë që të dinin se si ndodhte mrekullia e transmetimit televiziv. Ata nuk përtonin të më bënin komplimentet e rastit dhe ndonjë më guximtar kërkonte të më shoqëronte, duke më ofruar miqësinë e tij. Djemtë atëherë ishin të sjellshëm, të matur, por ajo çfarë mund të bëja unë për ta, ishte vetëm që t’i përshëndesja me mirësjellje e të nxitoja më pas për në shtëpi. Koha dhe gjithçka e imja i përkiste televizionit.

Megjithatë, ju zgjodhët ndonjërin prej tyre?

Jo, unë zgjodha dikë që nuk ishte asnjëri prej tyre. Një kolegia ime i kishte folur shumë një gjitoneje të saj për mua. Dhe kjo gjitone, kishte një kushëri në Berat që këmbënguli të ma prezantonte. Kështu, djali nga Berati, i cili ishte mësues i rusishtes atje, pas 4 takimesh, u bë i fejuari im.

Dhe ju u transferuat më pas te ai, në Berat?

Lëre, lërë, se kjo është histori më vete, kam kaluar shumë stres në atë periudhë.

Problemi është se nuk e lëmë dot…

Dakord, problemi ishte se Tirana ishte e stërmbushur me kërkesa për të punuar si mësues. Të gjithë lakmonin kryeqytetin. Edhe i fejuari im, bëri kërkesën, por nuk ia miratonin. Me qindra mësues zinin radhën para Komitetit Ekzekutiv dhe teksa i shihja ashtu, po më iknin shpresat. Kështu, një ditë, teksa po hyja në punë, më thërret sekretarja e Thanas Nanos dhe më jep lajmin që ai i kishte bërë një shkresë zyrtare Beratit dhe Komitetit Ekzekutiv, kështu që Xhevdeti do të transferohej në Tiranë. Ky ishte një lajm shumë i madh për të dy dhe pas kësaj historie, bëmë dhe dasmën.

Edhe fëmijët më pas?

Fatkeqësisht, kam qenë me probleme me shëndetin dhe nuk kemi pasur dot fëmijë. Megjithatë, ky nuk ka qenë problemi ynë më i madh. Unë dhe Xhevdeti mendojmë të dy që njeriu lind në radhë të parë për veten, pastaj për riprodhim. Një mik i mirë dhe një punë e mirë, janë të mjaftueshme për jetën.

A ishin këto probleme shëndetësore, prej të cilave ju filluat ngadalë që të “braktisnit” ekranin?

Jo shëndeti, por ngarkesa e punës më pengonte të dilja si spikere në televizion dhe nisi nevoja të përgatisja folëse të reja. Më kujtohet Katerina Gashi, Heroina Deliu, Valdete Aliaj, Zerina Kuke, Afërdita Haveri, Luiza Papavangjeli, Fatbardha Kraja, Rajmonda Beli Gjençaj, Luljeta Laçi, Silvana Braçe etj. Pastaj, mosha po bënte të vetën. Dalëngadalë karrierës sime të gjatë po i vinte fundi. Drejtori i televizionit, një djalosh i ri, me kulturë më thotë një ditë, që kur të dalësh në pension, do të mbledh kolektivin, do të festojmë dhe do të mbajmë një fjalim shumë të bukur… Dola në pension, dola shumë shpejt, por dola pa asnjë lloj ceremonie, sikur aty të kisha qenë një punonjëse e thjeshtë, e mbërritur aty part-time, që nuk dihet se nga ku…

Ky është zhgënjimi yt më i madh?

Ndoshta nuk do ta besoni dot këtë që do të them, por zhgënjimi i gjithë jetës sime është mospasja e një shtëpie për të qenë, pasi po jetoj në mes lagështirës në këtë gjysmë bodrumi. Ndërkaq, më sëmbon në zemër, mosdhënia e titullit të premtuar “Mjeshtre e Madhe e Punës”, në 50-vjetorin e krijimit të TVSH-së. Mund të them që drejtues të RTSH-së më kishin përgatitur që do ta merrja këtë titull. S’di pse më gënjyen. Jam shumë e ofenduar. Kurrë nuk kam parë rrogën që kam marrë, kurrë nuk kam parë akrepat e orës… Unë e doja tani atë titull. Nuk e dua pas vdekjes. Pas vdekjes nuk ka kush e gëzon, pasi unë nuk kam lënë fëmijë, trashëgimtarë… Por, pas gjithë kësaj, dua të bëj atë që bëjnë zakonisht njerëzit optimist. Ta mbyll këtë intervistë me gëzimin e asaj dite që shënonte lindjen e Televizionit Shqiptar, kur një llambushkë e kuqe u ndez dhe unë, tek dëgjova një pëshpërimë “fillo”, artikulova fjalët “Mirëmbrëma të dashur telespektatorë”, që shënuan fillimin e një historie të re për Shqipërinë, protagoniste e së cilës do të isha dhe unë. Ndërsa tani, pas kaq e kaq vitesh, do t’ju drejtohesha me fjalët: “Të dashur telespektatorë, ju jam mirënjohëse për dashurinë dhe vlerësimin që më dhatë”.

Emisionet kryesore

“Trupi dhe shëndeti”

“Si t’i rrisim fëmijët e vegjël”

“Shkolla, familja, shoqëria”

“Muzikë për të gjithë”

“Autorë e regjisorë filmash për fëmijë”

“Autorë e regjisorë emisionesh për fëmijë” etj.

 “Xhemi Shehu, mbesa ku shoh veten”

Lidhja e Stoli Belit me prezantuesen e njohur Xhemi Shehu, shkon përtej gjakut. Sa herë që show-girl-i shfaqet në ekran, Stolisë i duket sikur sheh veten. “Është vajza e vajzës së vëllait (Moisiut), por unë e kam mbesë shpirti. Që të vogël e kam dashur shumë dhe kam ruajtur shumë kujtime nga ajo, që nga kartolinat që më ka shkruar e deri te suveniret. Xhemi me mamanë e saj, Çiljetën, vinin shpesh në shtëpinë time, ashtu si edhe unë te ato. E shihja teksa hidhte shtat dhe që atëherë e kam ndjerë që ajo do të çante në botën e artit. Drejt të them, kur e kam parë për herë të parë në ekran, kisha shumë frikë. Më rrihte zemra fort dhe emocionohesha, ndërsa tani jam krejt e sigurt te ajo. Në çdo dalje skenike të saj, më duket sikur shoh veten”, rrëfen Stolia, ndërsa në shtëpi ka ruajtur çdo copë artikulli për Xhemin, si dhe ka një album me foto të saj, letra dhe kartolina.

Interviste e botuar ne Panorama ne vitin 2011