Hekuran Krasniqi: Publiku më mban mend afër Bleonës, por me Dafina Zeqirin kam një histori për të treguar

Nga bashkëpunimi ngacmues “Mandarina” me Bleona Qeretin, te këngët me grupin “Fisnikët”, tani Hekuran Krasniqin e shohim në një hit dasmash. Por se si janë njohjet e tij me vajzat e famshme të muzikës sot, të cilat dikur ka qenë ai që i ka zbuluar, i rrëfen për herë të parë për “Panorama Plus”.

Njiheni si këngëtari unik i bashkëpunimeve që nuk kanë të ndalur. Janë aq shumë të tilla sa natyrshëm lind pyetja, pse jeni profilizuar si i tillë?

Nëse do ta nis prej përvojave personale ku preka dhe sukseset e para, unë kam qenë pjesë e grupeve muzikore të atyre viteve, e kështu bashkëpunimi është ndërtuar si filozofi e punës dhe eksperiencave të mia. Mund të them se sot bashkëpunimet janë edhe trend botëror për të përmbushur nevojat e publikut të gjerë dhe shijet e tyre muzikore. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk kam edhe solo-projekte, të cilat janë realizuar ndër vite e së shpejti do të lancoj dhe një të tillë edhe si kërkesë e ndjekësve të mi. Shpresoj të jetë po aq i pëlqyer sikur bashkëpunimet.

Hekuran-2

Nga bashkëpunimet me “Fisnikët”, te “Mandarina” me Bleona Qeretin. Ka pasur raste që ke zbuluar talente?

Është më se e vërtetë që në vite kam mundësuar sjelljen e talenteve të rinj në skenë, duke kompozuar e krijuar për ta. Ndër ta kohë më parë ka qenë dhe Dafina Zeqiri, e cila shkëlqen sot në skenën muzikore. Madje, në këtë kontekst mund të përmend se një impakt shumë të mirë në publik së fundmi ka pasur kënga “Bella”, një bashkëpunim me talentin e ri LMN, falë harmonizimit me vokalin e tij shumë interesant dhe teksit të kënduar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht. Kështu, të rinjtë janë pjesë e fokusit të aktivitetit tim muzikor, gjithmonë në zbulim e në mbështetje të tyre.

Publiku në Shqipëri këto ditë ju ka dëgjuar në një kolazh me këngë popullore plot ritëm me Vani Gjuzin. Është pritur mirë ky kolazh?

Këtë kompozim e bashkëpunim njëkohësisht e kam realizuar me shumë dëshirë, pikërisht për faktin se vlerësoj që muzika popullore është një pasuri, një vlerë e padiskutueshme e folklorit shqiptar dhe dasma shqiptare si institucion meriton të pasurohet edhe më shumë me motive të reja e atmosfere të ndezur. Pa diskutim që dhe prania e këngëtarit nga Tirana, Vani Gjuzi, i ka dhënë këtij kolazhi vlerën dhe koloritin që meriton ky zhanër. Dëgjueshmëria po vjen e rritet javë pas jave, madje shoh e dëgjoj që po kthehet në një shoqëruese të njerëzve në rastet e gëzimeve të veçanta të jetës së tyre, pa diskutim dhe dasmave shqiptare.

Hekuran-3

Prezenca juaj në skenën muzikore në Tiranë shënon pjesmarrjren tuaj në “Top Fest”, “Kënga Magjike” si dhe fitues i Festivalit të VIII “Netët e Klipit Shqiptar”, sigurisht kompozime tuajat, por të gjitha këto disa vite më parë. Kur mendoni të jeni përsëri aktiv në gara me impakt?

Po, është shumë i saktë konstatimi juaj dhe më kënaq fakti që ka memorie mbi aktivitetin tim muzikor në Tiranë. Mendoj që kompeticioni më i mirë është dashuria dhe përkrahja që merr nga publiku çdo ditë, kur këngët e tua dëgjohen e këndohen prej tij, por sigurisht edhe pjesëmarrja në aktivitete të tilla ka rëndësinë e vet, pasi të krijon mundësi të tjera dhe të jep emocion.

Përveç vokalit tuaj aq të veçantë, potent e të dallueshëm, në aspektin e look-t dalloheni për kapelen tuaj. Ka ndonjë domethënie?

Po, është simbol identifikues i imi, në të njëjtën kohë hiqet për persona të nderuar në shenjë respekti, por për fat të keq nuk po më ndodh shpesh ta bëj një gjë të tillë, ndaj kam filluar së frikësuari se do më bien flokët meqë shumë rrallë më qëllon ta heq nga koka për të nderuarit eventualë. Kapela hiqet kur fillon respekti më i theksuar për njëri-tjetrin në shoqërinë tonë.

Jeni duke realizuar projektin tuaj më të ri, krijimin e një televizioni tematik. Mund të tregoni diçka për këtë sipërmarrje jashtë muzikës?

Projekti mbi televizionin tematik, muziko – kulturor, ka të bëjë me shpërfaqjen e profileve të shumë këngëtarëve, të cilët kanë merita në sy të publikut, ofrojnë diçka të veçantë dhe janë kompetitivë në tregun muzikor. Ajo që unë tentoj të realizoj në këtë ndërmarrje të re, është ofrimi i një produkti mediatik ndryshe në përmbajtje e cilësi. Gjithmonë ka hapësirë për media të reja, duke identifikuar targetgrupe të shoqërisë që kanë nevojë për t’u ndjerë të përfaqësuar. Gjithsesi, barometri më i mirë do të jetë publiku.

Hekuran-1

Jeni i aftë ta menaxhioni kohën si duhet?

koha menaxhohet mirë, gjithmonë ka kohë. Unë e respektoj shumë kohën. Gjithashtu, ndarja e punës, përgjegjësia si dhe besimi i plotë në vendime është suksesi i garantuar. Kur gjërat bëhen me dashuri e pasion , koha menaxhohet më së miri.

Ka fama peshë në jetën tuaj, pra, e konsideroni veten të tillë?

Sa i përket “famës”, mendoj që është një fjalë pak e madhe, por nëse bëhet fjalë për atë që unë ndihem mirë kur njerëzit që më rrethojnë me duan, më njohin, më vlerësojnë, kjo më nxit e më shtyn të investoj më shumë “ kohë” e “famë” në të ardhmen, për të prodhuar edhe më shumë melodi e shpirt për publikun, pasi muzika është një nga format e komunikimit, zëri del nga shpirti, ai depërton, por njëkohësisht është dhe energji dhe energjitë pa diskutim gjithmonë krijojnë./Panorama Plus