G Bani rrëfehet si legjendë: Jam i uritur për skenë!

Pas një mungese të gjatë në skenë, reperi i njohur G-Bani u rikthye në tregun muzikor me videoklipin “Mjet anglez”. Një ditë më parë, ai ka qenë i ftuar në studion e emisionit “Ftesë në Pesë”, ku gjatë intervistës zbuloi se ka në plan që të sjellë muzikë të re, si dhe do të jetë më aktiv në jetën e natës. “Qëllimi është të bëj muzikë! Sigurisht jam i uritur për skenë, dua të dal në skenë. Do u jap rastin edhe organizatorëve të klubeve që nuk e meritojnë të më kenë. S’ e meritojnë, sepse unë e di shumë mirë impaktin tim, unë jam legjendë!”, tha plot vetëbesim reperi. “Mund të jetë hera e parë që po e them, po unë e di që jam legjendë, jo vetëm falë arritjeve të mia, por sepse kështu erdhën gjërat. Unë bëra rep, në një Shqipëri ku s’ishte bërë rep herë tjetër”, shtoi më tej ai, shkruan Panorama Plus. Kujtojmë se një nga këngët më të suksesshme të G-Ban mbetet “Të dua”, bashkëpunimi me Crazy Girl, që u kthye aso kohe në hit e vazhdon të dëgjohet edhe sot.