“Zënka” në SHBA më 23 nëntor 1912 mes dy miqve, Fan Nolit e Faik Konicës se cili duhej të shkonte në Shqipëri. Çfarë kërkoi shkrimtari nga “Vatra” dhe vendimi që u mor
SEJDO HARKA/ “Hapini udhën Apostullit tonë të madh, se është pak i ashpër dhe di ta hapë edhe me pahir…” (Sotir Peci)
Të shkruash për Apostullin Fan Stilian Nolin, është si të gdhendësh në një gur stërralli statujën e njeriut që gjithçka ia kushtoi pavarësimit të kombit dhe vendit të tij, Shqipërisë. Ai ishte dhe mbeti atdhetar i rrallë, mendimtar i shquar, erudit universal, poliglot, politikan dhe diplomat vizionar, poet dhe publicist i fuqishëm sarkastik, përkthyes e shqipërues i papërsëritshëm, tepër orgjinal dhe kleriku, që kultin e besimit ortodoks shqiptar e vuri në funksion të bashkimit të gjithë shqiptarëve, në luftë për pavarësimin dhe emancipimin kulturor e shoqëror të popullit tonë.
Prandaj, e përditshmja e vitit 1919 “The Boston Globe”, do të shkruante me shkronja të mëdha: “Fan Noli është një njeri me kulturë të gjerë. Janë të paktë njerëzit që kanë njohje më të mirë se ai për historinë, në përgjithësi, dhe për Shqipërinë e shtetet ballkanike në veçanti. Meqënëse shqiptarët kanë qenë gjithmonë një popull liridashës, ai është një admirues i madh i Republikës dhe i demokracisë amerikane, të mishëruara në figurën Presidentit të asaj kohe, Wilson”. Fan Noli përfaqëson shpirtin kombëtar të shqiptarëve.
Ndërsa miku dhe bashkëluftëtari i tij për emancipimin kulturor të shqiptarëve dhe pavarësimin e Shqipërisë, Faik Konica, në vitin 1910, Fan Nolin e portretizon me këto fjalë: “Leshzi, me sy të mprehtë e fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë atë në uzurë, mendjehapur, i zoti të zbërthejë çështje të rëndësishme për kombin, i letruar, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave. At Noli, nga kultura, mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton kishëtarët e Përlindjes italiane”. Ndoshta do të mjaftonin këto vlerësime, sa të larta, aq dhe të vërteta, për të kuptuar se ç’ishte ai fenomen i papërsëritshëm, që kishte emrin e madh, Fan Noli.
Megjithatë, dimensionet e universit të bëmave dhe vlerave të tij, janë aq të gjera, sa që do të ishte e vështirë t’i shteronte edhe një enciklopedi e tërë. Për Nolin janë shkruar disa libra, nga vendasit e të huajt, por në ndonjë prej tyre kemi parë edhe vlerësime të përcipta me gjuhë superlative, që ndoshta nuk do t’i pëlqente as vet Nolit, po të ishte gjallë. Mendojmë se, një nga librat më serjozë, që hedh më shumë dritë për figurën poliedrike të F. Nolit, është ai i studjuesit dhe publicistit të mirënjohur Ilir Ikonomi me titullin “Fan Noli-Apostulli”(Vëllimi parë), i cili ka dalë në qarkullim këto ditë.
Ky libër, që përfshin jetën dhe veprimtarinë e Nolit deri në vitin 1920, është një enciklopedi faktesh, ngjarjesh dhe bëmash të sakta, të qëmtuara nga burime arkivore të vërteta, larg figurave e vlerësimeve emocionale, që zbehin portretin e protagonistit të këtij libri. Është kjo arësyeja kryesore, që nëpërmjet këtij libëri njihesh me Nolin e vërtetë, me vlerat e papërsëritshme dhe dobësitë e tij, siç janë inatet, ambicjet, rrëmbimi, etj. Ky libër, herë i ngjan një monografie, herë një libri historik dhe herë një bestselleri artistik, që krahas historisë së gjallë të popullit shqiptar në një periudhë sa të vështirë, aq dhe të lavdishme, tipizon një seri figurash që me përpjekjet e tyre atdhetare e kulturore bënë historinë e qëndresës së kombit tonë për pavarësimin e Shqipërisë. Por, në qendër të këtij libri qëndron protagonisti Fan Stilian Noli. -Ajo që më ka tërhequr më shumë nga historia e rrallë e Nolit,- shkruan autori i këtij libri, Ilir Ikonomi, është guximi me të cilin ai kishte nisur punët e tij të mëdha, duke shkatërruar korrniza dhe hapur shtigje të reja.
FËMIJËRIA E THEOFANIT
Ai lindi më 6 janar të vitit 1882, në një fshat shqiptar të Perandorisë Osmane, larg Shqipërisë. Ibrik-Tepe quhej, por nga shqiptarët thirrej qytezë, vendi nga buronin stërgjyshërit e tij. Ibrik-Tepe, ndodhej pranë kufirit grek. Ky fshat, sipas Nolit, kishte qenë koloni ushtarake e ngritur nga perandorët e bizantit, të cilët kishin nevojë për luftëtarë, që banonin, jo shumë larg Kostandinopojës. Por, që, në kohë paqeje, nga që i strehonin dhe u jepnin edhe toka, ata nguleshin aty përgjithëmonë. Noli, edhe vet ka sqaruar arsyet pse ai mbeti tërë jetën me një vetëdije të plotë shqiptare.
Ai sqaron se çfarë e përcaktoi besimin e tij fetar dhe si lindën tek ai shkëndiat e dëshirës për t’u prirë turmave si lider. Gjyshi i tij, Gjergji, i cili vdiq në luftë, mbante titullin kapedan. Fani ishte fëmija i trembëdhjetë i Stilianit dhe Maries. Në familjen e tyre flitej shqip, brezpasbrezi. Kur ishte i mitur, ai ishte një fëmijë delikat, që prekej lehtë nga sëmundjet. Vetëm pas moshës 8-vjeçare, Fani nisi të përmirësohej. Në fillim, e kishte të vështirë të shkonte në shkollë, por më vonë u bë, aq i zellshëm, sa që klasat nisi t’i kalonte dy e nga dy. Në vitin 1896, Theofani dërgohet në gjimnazin grek të Adrinopojës, ku studjoi për mësues dhe psallt.
Atje, në një teatër u njoh edhe me tragjeditë e Shekspirit, ku nisi punën si sufler dhe më pas si aktor zëvendësues. Edhe pse shokët e quanin grek, ai e ndjente veten thellësisht shqiptar. Që në moshë të hershme nisi të lexonte “Historinë e Skënderbeut” dhe “Dhjatën e re” të Kristoforidhit. Krahas shkollës, ai nisi të kryejë disa kurse për qeverisjen moderne kushtetuese, për filozofinë, për letërsinë frënge, etj. Filloi të lexojë me pasion autorë të mëdhenj të botës si: Sokratin, Demosdenin, Niçen, Horacin, Ciceronin, Gëten, Shilerin, Tolstoin, Gorkin, Kafkën…
Studioi dhe mësoi shumë gjuhë të botës, si: greqishten, anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, spanjishten, norvegjishten, latinishten…, duke u bërë kështu një poliglot i vërtetë. Ndërsa gjuhën shqipe e mësoi vetë në mënyrë të përsosur, mbasi ajo nuk lejohej të mësohej në shkollat greke. Që herët Noli shkroi 3 dramat e para. Studimet e larta i kreu në Harvard, ku mori dhe titullin “Master”. Pas kësaj shkolle, ai kreu edhe disa kurse të tjera për filologji, filozofi, psikologjinë e kafshëve, etj. Noli u rrit me një frymë të zjarrtë nacionaliste shqiptare. Ai, që në moshë të re mori rrugën e emigrantit, jo thjesht për probleme ekonomike, por më shumë për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare.
NOLI, NJË BEKIM PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË AMERIKËS
Në moshën 24-vjeçare, ai arriti në Boston të Amerikës, ku sapo mbërriti, nisi fushatën për pavarësimin e Shqipërisë. Synimi i parë i tij ishte të krijonte një kishë, ku mesha të bëhej në gjuhën shqipe dhe jo greke. Me ndihmën e Sinodit rus, ai mundi t’ia arrinte këtij qëllimi, me të cilin synonte të bënte bashkimin e emigrantëve shqiptarë për pavarësimin e gjthë Shqipërisë nga të huajët. Me veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, sidomos me oratorinë dhe artin me të cilën drejtoi Konfederatën “Vatra”, Noli do të bëhej figura qëndrore e emigrantëve shqiptarë të Amerikës.
Ai u bë i njohur si publicisti më përbashkues i emigrantëve shqiptarë të Amerikës, i cili me gjuhën e mprehtë ironikosarkastike fshikulloi pushtuesit dhe kundërshtarët e tij të kohës. Ai bëri një punë titanike kundër grekomanëve, turkomanëve, dhe shteteve fqinje e të fuqive të mëdha të Evropës, që që synonin coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe sundimin e përjetshëm mbi shqiptarët e pambrojtur. Noli u frymëzua nga shëmbulli i demokracisë amerikane. Për shkak të qëndrimit të vendosur që Noli mbajti ndaj qëllimeve djallëzore të pushtuesëve fqinjë, historiani i madh Fisher e ka quajtur atë “Personalitet të shquar të historisë dhe të kulturës shqiptare”.
Atdhetaria dhe patriotizmi i tij ka nisur që në vitin 1907, kur shkruante vargjet: “Nga na vjen, moj erë e mjerë”. Ishte koha kur djaloshi Theofan ishte nisur me avullore për një arrati të gjatë, nga Aleksandria, drejt Nju Jorkut, i cili në atë kohë ishte vendi i ëndrrave amerikane për lirinë. Ja si e përshkruan autori momentin kur djaloshi F. Noli mbrin në këtë vend gjigand, i dërrmuar nga rruga: “Kishte sy të zinj dhe fytyrë vrajale, paksa zeshkane…”. Noli kishte një zgjuarësi të rrallë, shkollim të mirë dhe aftësi që tregonte, se do të kthehej në një bekim për komunutetin shqiptar të amerikës. Vatra e parë që ngrohu shpirtin e djaloshit Theofan ishte “Mall’ i Mëmëdheut”, ku e priti me dashuri nga Thanas Mborja. Për t’u ushqyer, u detyrua të punonte në sharrat e Amerikës. Krahas punës, ai nisi të shkruajë në gazetën “Kombi”, që drejtohej nga Sotir Peci. Që në shkrimin e parë, Noli tërhoqi vëmendjen e lexuesëve me stilin dhe gjuhën e tij të papërsëritshme. Me pulsin e tij protestues, ai tregonte se do të bëhej i dobishëm për çështjen e madhe kombëtare.
Ngjarjet, faktet dhe problematikat që autori i këtij libri, Ilir Ikonomi, sjell në këtë libër janë të shumtë, por ne do të përpiqemi të sjellim ato më pikantet, që portretizojnë një figurë, sa atdhetare aq dhe poliedrike si Fan S. Noli. Gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë së tij Noli ka patur adhuruesit, simpatizantët dhe kundërshtarët e tij. Ai shquhej për oratori të rrallë, por dhe për egon e tij persaonale, të cilën e shprehte hapur, duke u thënë kundërshtarëve: “Shpejt do kuptoni që unë jam i pari”. Ai shpesh grindej me Sotir Pecin, sepse nuk i pëlqenin këshillat dhe shkrimet e tij. Noli në bashkëpunim me shokët, më 6 janar të vitit 1907 krijuan shoqërinë “Besa Besën”.
Në cilësinë e kryetarit ai u drejtohej shqiptarëve me fjalët: “Kujdesuni për përlindjen e kombit, tani që koha shtërngon”. Nga tribuna e kësaj mbledhjeje, ai u kërkon personaliteteve të Evropës të tregojnë vëmendje për shqiptarët. Ata duhet të kenë gjuhën shqipe edhe në kishën e tyre. Prandaj, shkoi në Nju Jork për t’i kërkuar, me këmbëngulje Sinodit të Kishës Ruse që, të paktën, në një kishë, mesha të bëhej në gjuhën shqipe. Në vitin 1908, Noli dorëzohet dhjak. Ato ditë Sotir Peci shkruante këto fjalë në gazetën “Kombi”: “Hapini udhën Apostullit tonë të madh, se është pak i ashpër dhe di ta hapë edhe me pahir! Është i fortë si luan nga urata e Perëndisë dhe e Shqipërisë”.
Në këtë kohë Noli shkroi edhe një libër me shërbesa kishtare në gjuhën shqipe. Ndërsa gazeta “Kombi” theksonte, se, pas meshave shqipe, Noli fshinte atdheun dhe bashkimin kombëtar. Në shkurt të vitit 1909, Noli përgatitej të shkonte në Shqipëri për të demaskuar klerin grek, i cili, të gjithë ortodoksit shqiptarë i konsideronte grekë. Në këtë kohë Faik Konica e quante Nolin “mik të ngushtë, njeri me kulturë të lartë dhe studjues të apasionuar të muzikës”. Noli do të mbetet në historinë shqiptare njeriu që futi gjuhën shqipe në meshë. Por, Noli kishte edhe kundërshtarë të egër politikë, si Kristo Floqi. Kur Noli kishte marrë udhëtimin e gjatë nëpër Evropë, Floqi kishte ardhur në krye të shoqërisë “Besa-Besën”. Ishte koha kur po krijohej federata më e madhe e shqiptarëve të Amerikës, e cila mori emrin e propozuar nga Noli “Federata Panshqiptare Vatra”, e krijuar nga shkrirja e disa shoqërive shqiptare të kohës.
Kishte ardhur koha që drita e kishës shqipe, që synonte bashkimin e kombit të rrezatonte thellë në shpirtin e shqiptarëve. Të bashkuar, me flamurin shqiptar dhe atë amerikan në duar, u nisën drejt Kishës së Shënkollit, ku Noli shprehu mirënjohjen për amerikanët që lejuan meshën e tij në gjuhën shqipe. Por, s’kaloi shumë kohë nga dita e shpërthimit të xhelozisë së grekëve ndaj “Vatrës”. Ishte koha kur grekët nuk ishin dakord me pavarësimin e ShDOSSIER Shokët e quanin grek, por ai e ndjente veten thellësisht shqiptar Letra e Nolit për Ismail Qemalin, çfarë i shkruante Pasi krijoi kishën kombëtare shqiptare në Boston, synonte të themelonte edhe kishën shqipe në Shqipëri qipërisë, sepse i trembeshin synimit aneksues të Italisë dhe Austro-Hungarisë.
Në kreun e tretë të librit, të cilin autori I. Ikonomi e titullon “Ëndërra që nuk u bë”, trajton ngjarjet mes viteve 1912- 1915, ku Noli shfaqet me përpjekjet e tij titanike, kundër coptimit të Shqipërisë. Më 23 nëntor të vitit 1912 Noli kërkoi nga “Vatra” autorizimin për të shkuar në Shqipëri, si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës, por “Vatra” nuk e lejoi. Ishte Konica që këmbënguli më shumë për këtë pengesë, sepse kërkonte të shkonte vet. Edhe pse Noli nuk shkoi dot, më 28 nëntor përshëndeti Ismail Qemalin për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Ju përgëzoj për veprën e madhe patriotike”, i shkruante ai Ismail Qemalit, ato ditë tepër të lumtura për shqiptarët. Por, s’kaloi shumë kohë që Shqipëria të bëhej pre e orekseve gllabëruese të fqinjëve. Ishte koha kur qaqet shoviniste të Ballkanit dhe të botës trumbentonin, se shqiptarët janë një grup fisesh, gjysmë barbarë, që nuk kanë ndjesi kombëtare. Ndaj janë të paaftë të vetëqeverisin. Në këto kushte të errëta për Shqipërinë, Noli i drejtohet botës së qytetëruar, se shqiptarët s’kërkojnë gjë tjetër nga ajo, veç se të trajtohen të barabartë dhe t’u japin shansin, që ata të tregojnë se ç’janë të zotë të bëjnë për veten e tyre.
Ky shans që u është dhënë të gjithë vendeve të tjera të Ballkanit, thekson Noli, nuk duhet t’u mohohet as shqiptarëve. Në një letër drejtuar Ismail Qemalit, Noli i shpreh gatishmërinë, se ishte gati t’i shërbente qeverisë së tij, nëse do ta kërkonin. Në mars të vitit 1913 Noli me Konicën morën pjesë në Kongresin Shqiptar të Triestes, i cili u drejtua nga Hil Mosi. Në këtë kongres Noli iu drejtua shqiptarëve me këto fjalë: “Le të rrëmbejmë armët, nëse Shqipërisë nuk i jepen trojet e banuara nga shqiptarët”! Në këtë kongres ai shprehu bindjen se, në këto kushte, askush nga shqiptarët nuk mund t’i shkonte pas Esat Pashës, i cili ishte jo vetëm tradhëtar i kombit, por dhe një analfabet. Javën e dytë të korrikut të vitit 1913, Noli arriti në Shqipëri. Pasi kishte krijuar kishën kombëtare shqiptare në Boston, synonte të krijonte dhe kishën shqipe në Shqipëri, e cila sipas tij, nuk do t’u mësonte shqiptarëve vetëm ABC-në, por edhe si ta vinin besimin kishtar në shërbim të rilindjes dhe bashkimit të kombit dhe trojeve tona.
Ai luftoi t’i bindte njerëzit, se jo çdo ortodoks është grek, sepse as Sinodi Rus nuk mendonte kështu. Në këto kohëra të turbullta për Shqipërinë, Noli propozonte: Refuzimin e pushtuesit; tolerancë dhe liri besimi; moslejimi të asjë lloj protektorati; kostituimin e një senati; përmirësimin e gjendjes së mjeruar të fshatarëve dhe edukimin laik kombëtar të shqiptarëve. …vijon nesër
Panorama