Zbulohet skema e mashtrimit; si e falsifikonte firmën e ministrit ish-banori i “Big Brother 2”, Elton Tozaj

Elton Tozaj, është një ish-lojtar i “Big Brother 2”, i cili i cili rrezikon dënimin deri në 8 vjet burg për mashtrime ndaj disa personave dhe falsifikim dokumentesh. Ai prezantohej si punonjës i Bashkisë së Tiranës apo Ministrisë së Brendshme, dhe duke u premtuar qytetarëve të ndryshëm, kredi me norma të buta interesi u zhvaste atyre shuma të konsiderueshme parash. Kjo ishte mënyra mbi të cilën Tozaj kishte organizuar skemën e mashtrimit, i njohur edhe si gazetar përveç ish-banor i BB 2. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Tozaj të paktën në tre raste u ka marrë “viktimave” të tij nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë të reja, pasi i kishte mashtruar se do t’i fuste në listën e personave që përfitonin kredi të buta nga bashkia. Këtë skemë ai e aplikonte edhe duke u prezantuar si punonjës i Ministrisë së Brendshme dhe për t’u bërë sa më i besueshëm u paraqiste personave të ndryshëm, formularë apo dokumente që i falsifikonte me firmën e ministrit Saimir Tahiri, ose të titullarëve të tjerë të lartë. Madje, në një rast ai ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qera vilën 31 në zonën e ish-Bllokut. Për këtë mashtrim të radhës, Tozaj kishte marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh dhe 5 mijë eurosh, ndërsa çimimi i qirasë do të ishte 3 dollarë për m2. Kjo nuk është hera e parë që Tozaj, përfiton para me skemën e mashtrimit. Para disa vitesh ai kishte qenë sërish i dënuar për të njëjtën akuzë, pasi mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit, duke u marrë atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Edhe këtë mashtrim ai e realizonte duke u prezantuar si këshilltar i ministrave të ndryshëm, si dhe duke paraqitur dokumente të falsifikuara. Pas pretencës së prokurorisë, e cila kërkoi dënimin e Elton Tozajt me 8 vite burg, pritet vendimi i Gjykatës.