Ylli Limani: Tuna Sejdiu personi më i afërt për mua, “Shiu” u kushtohet ditëve të fundit të lidhjes së dashurisë
“Nuk jam i dashuruar për momentin dhe mendoj se nuk do të jem për një kohë të gjatë. Sapo të më mbarojë frymëzimi për historitë e së shkuarës, besoj që atëherë do të jem gati t’i futem një lidhjeje të gjatë dhe serioze”. Kjo është deklarata e kantautorit Ylli Limani për revistën “Story”, i cili me këngën “Shiu” derdhi gjithë talentin e tij jo vetëm si këngëtar por edhe si “dashnor” pasionant. 22 vjeçari nga Prishtina që lëvron muzikën pop, u komentua pak kohë më parë për lidhje romantike me Tuna Sejdiun. Për marrëdhënien e tyre, garën me këngën “Shiu” në festivalin e RTSH-së, pse s’është gati për lidhje serioze dhe të tjera sekrete të artistit të veçantë që i shkruan vetë këngët e tij, Ylli i zbulon në këtë intervistë të parë për vitin 2017. Ai u bë i njohur për publikun në edicionin e parë të talent show-t “The Voice of Albania” në nëntor të vitit 2011, kur ishte vetëm 17 vjeç, por pjekuria që ka arritur tani na njeh më një artist jo si tjerët.
Konkurrove me këngën “Shiu” në Festivalin e RTSH-së. Prisje ta fitoje këtë garë?
Këngën “Shiu” gjithmonë e kisha menduar për njerin nga festivalet që mbahen në Shqipëri. E vendosa pak ditë para afatit të dorëzimit të këngës në festival që të merrja pjesë, sepse e ndjeja që ishte e denjë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Prisja që kënga të pëlqehej, gjë që ndodhi. Ndërsa fitoren e shihja si çështje të dorës së dytë.
Në juri ishte dhe ish-trajnerja e “The voice of Albania”, ku ti ke marrë pjesë, Alma Bektashi. Mbete i kënaqur me pikët e saj?
Alma Bektashi është njëri nga njerëzit që çmoj dhe vlerësoj më së shumti. Më dha 7 pikë, dhe e di që ajo m’i dha sepse aq mendonte se i meritoja, dhe e respektoj vlerësimin e saj.
Nga cilët anëtarë jurie ngele i pakënaqur? Ndërsa vlerësimin me shumë pak pikë nga disa anëtarë të jurisë, (nga disa edhe me zero), e shoh si të çuditshëm, veçanërisht prej atyre me të cilët kultivojmë të njëjtin zhanër dhe kemi shtrirje të zërit të përafërt. Gjithsesi, nuk është se më ngeli hatri nga dikush specifikisht.
Ç’mendim ke për këngën fituese “Botë”, dhe mund të veçosh këngëtarët në garë që pëlqeve vërtet?
Kënga “Botë” është një këngë që më pëlqeu shumë që nga dëgjimi i parë, dhe mendoj se mesazhi që ajo përmban do të pritet mirë në Eurovizion. Linda është këngëtare e shkëlqyer dhe besoj që do të na bëjë krenarë. Sa u përket këngëve që mua më pëlqyen më së shumti, janë kënga e Festina Mejzinit dhe Flaka Krelanit.
Rikthehemi tek “Shiu”, kujt i dedikohet kjo këngë kaq shpirtërore e për kë janë ato vargje dhe interpretim i ndjerë?
Kënga “Shiu” u kushtohet momenteve, çasteve dhe ditëve të fundit të një lidhjeje. U kushtohet të gjjthë njerëzve me të cilët nuk jam më në kontakt, dhe është në një farë mënyre “homazh” për kujtimin dhe vendin që ata mbajnë akoma në jetën time.
Tani je i dashuruar dhe kush është vajza që të frymëzon?
Nuk jam i dashuruar për momentin dhe mendoj se nuk do të jem për një kohë të gjatë. Sapo të më mbarojë frymëzimi për historitë e së shkuarës, besoj që atëherë do të jem gati t’i futem një lidhjeje të gjatë dhe serioze.
Para pak kohësh u përfole për lidhje me Tuna Sejdiun. Si është e vërteta?
E ritheksoj që Tuna është njëri nga personat më të afërt të mi, dhe e kam stërthënë të vërtetën mbi lidhjen tonë sa e sa herë.
Për ty ka problem diferenca e moshës në dashuri, për shembull nëse një vajzë është shumë më e madhe?
Jo, nuk mendoj se standardet që vendosen nga shoqëria luajnë ndonjë farë roli mes raportit intim të dy njerëzve. Kur e do dikë, e do, pa marrë parasysh gjithçka je.
Sa i takon muzikës me çfarë po merresh aktualisht?
Për momentin jam në përfundim të disa projekteve që do të shohin dritën e diellit, sapo unë të vendos së janë gati për publikim.
Bashkëpunimi interesant ku do të të shohim këtë Vit të Ri?
Bashkëpunimet nuk i kam pëlqyer kurrë, por kur janë me emra të njohur si ai me 2po2 dhe Tunën, besoj që do ia vlejnë sapo të publikohen. E di që do ju pëlqejnë!
Çfarë ke të veçantë si djalë i skenës krahasuar me këngëtarët e tjerë që janë sot në tregun e muzikës?
Hmm… ndoshta fakti që krijoj vetë këngët e mia më bëjnë më të besueshëm dhe më të pranueshëm në disa aspekte më shumë sesa të kolegëve të tjerë që kam. Ndoshta edhe ngjyra e zërit luan rolin e vet, gjithsesi secili ka atë veçantinë për të cilën publiku na pranon ose jo.