“VIP-at që shtiren si engjëllorë”- Valer Kolnikaj: Ka viruse më të rrezikshme se Covid-19, që përhapen në intimitet mes tradhtarëve
NGA KLOTILDA HARKA/ Si showman-i i programeve televizive në Tiranë, Valer Kolnikaj ka arritur të njohë nga afër shumë të famshëm, për të cilët thotë se s’janë aspak interesantë dhe paguajnë para për ta blerë famën me klikime.
Ndërkohë që si mjek, ai mban postin e drejtorit të një qendre spitalore në vendlindjen e tij, Malësi të Madhe, dhe thotë se ekzistojnë viruse më të rrezikshme se Covid-19 e që përhapin në intimitet ata që tradhtojnë partnerët.
Modeli dhe ish-lojtari i “Big Brother”, Valer Kolnikaj, zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus” edhe qëndrimin e bashkëshortes për pozat e tij hot.
Si mjek në profesion, Covid-19 tani është më i rrezikshëm, apo rreziku ka kaluar?
Valer Kolnikaj: Rreziku nuk ka kaluar absolutisht, sidomos për faktin që vazhdon të jetë një armik i padukshëm dhe akoma popullata nuk e ka në dorë vaksinën kundër COVID-19 . Hipoteza e teori të njëpasnjëshme vazhdojnë të publikohen, të cilat shpeshherë kundërshtojnë njëra-tjetrën. Është fakt që rritja e temperaturave frenoi dukshëm efektin e shpejtë e të fortë të këtij virusi, por si çdo virus tjetër i mëparshëm, ekziston mundësia e të shfaqurit në stinën e vjeshtës dhe dimrit, prandaj rreziku vazhdon të jetë i pranishëm, edhe pse i heshtur apo asimptomatik.
Çfarë këshillash u jep ti pacientëve apo ndjekësve të tu për këtë armik të padukshëm?
Valer Kolnikaj: Ato këshilla që tashmë janë bërë kryefjalë nga kushdo e kudo në media, nga ministri i Shëndetësisë e nga të gjitha bluzat e bardha: Përdorimi me kujdes i maskave e dorezave; larja e duarve mirë e herë pas here, duke përdorur edhe dezinfektantët; qëndrimi në distancë e në ambiente ku ajrosja është e mirë; kujdesi me ushqimin e vitamina C; kujdesi për fëmijët apo familjarët e moshuar që kanë sëmundje shoqëruese; matja e temperaturës etj. Ju them vetëm kujdes, ju lutem!
Përveç Covid-19, cilat janë viruset e padukshme që përhapen mes njerëzve në intimitet?
Valer Kolnikaj: Tradhtia e ndarjet janë duke u përhapur shumë te të paduruarit e të mospërmbajturit në intimitet. (Qesh)
Cili është mjeku që ti e vlerëson shumë kur e sheh në ekran këto kohë dhe showman-i që do ta konsideroje doktor të shpirtit?
Valer Kolnikaj: Çdo mjek dhe infermier, realisht është një hero frymëzues në çdo kohë, por një situatë si kjo ua hap sytë të gjithëve për t’u bindur për këtë. Prandaj, secilin nga ata e vlerësoj pafund. Kurse nga njerëzit e ekranit janë disa figura të rëndësishme televizive, që edhe kur i kam njohur nga afër, më kanë rezultuar po aq pozitive dhe me personalitet si në ekran. Mund të përmend Alban Dudushin e Bieta Sulon, Arbana Osmanin, Ardit Gjebrenë, Ermal Mamaqin e Amarda Toskën, Rudina Magjistarin, Alketa Vejsiun e Vera Grabockën etj. Kurse doktorin e shpirtit e kemi të gjithë brenda vetes. “Bëhu doktori i vetes”, është shprehja e këshilla e artë që e vërteton këtë.
Thonë që mjekët bëjnë shumë para. Po ti, si je me situatën ekonomike? Ia vlen të punosh në mjekësi me këto paga në shtet?
Valer Kolnikaj: Çdo punonjësi të shtetit që i shërben popullatës, si: mjekëve e infermierëve, inxhinierëve, policëve, mësuesve etj., ua dimë vlerën vetëm kur jemi në rrezik e s’kemi ku të shkojmë. Mendoj që këtyre punonjësve u duhen siguruar nga shteti pagesa të mira, që këta t’u sigurojnë familjeve të tyre jetesën e mirë, që të mos të detyrohen të largohen nga Shqipëria. Pagat e infermierëve janë më të ulëtat dhe shpresoj shumë që qeveria jonë t’i rishikojë, duhet pa diskutim. Si e kam unë situatën ekonomike? Jetoj mirë me familjen, edhe pse jam i vetmi i punësuar deri tani. I kam realizuar objektivat e mia në çdo aspekt dhe kam plot mundësi për dëshira e objektiva të radhës.
Nëse do të kishe jetën e një politikani në dorë, cili do të doje të ishte ai?
Valer Kolnikaj: Në dorën e një mjeku do ndodhë të bjerë gjithsecili në jetë, pavarësisht pozicionit të punës apo profesionit që mund të ketë. Më ka ndodhur edhe me politikanin, për të cilin jam kujdesur po njësoj si për çdo njeri që ka nevojë për shërbim nga mjeku e infermierët. Profesionalizmi e humaniteti i bluzës së bardhë nuk bën dallime dhe ne urojmë gjithmonë që të mos na e kenë nevojën as politikanët, apo çdo njeri tjetër, pra të jenë të shëndetshëm. Nëse do ndodhë, te koka do na kenë, por uroj që ta kenë dhe dorën e Zotit pranë! P.s Pyetja ishte më e vështirë se të tjerat. (Qesh)
Bashkëshortja të kërkoi të heqësh dorë nga pozat hot si model. Do t’ia dëgjosh fjalën duke stopuar me daljet ‘plus 18’?
Valer Kolnikaj: Bashkëshortja më kërkoi të heq dorë nga fotot hot tek emisioni i Rudinës. Por kuptohet, ajo ishte një shaka, sepse nuk ka asnjë problem mes nesh për këtë. Unë nuk bëj diçka që pastaj të heq dorë, prandaj them që do vazhdoj ta surprizoj publikun me fotot artistike të asaj natyre. (qesh)
Nëse do të doje t’ua çirrje me të vërtetë maskën të famshëmve shqiptarë, ç’mund të thuash për ta?
Valer Kolnikaj: O shyqyr që nuk i njeh mirë publiku shumicën e tyre, pasi në të vërtetë nuk janë aspak interesantë. Të paktën janë ato personazhe që janë gjithmonë interesante në ekran edhe për sytë e publikut, duke qenë të larmishëm, të guximshëm e me personalitet. Shumica e krijojnë famën artificiale (shumë herë duke investuar para pafund për klikime, duke paguar njerëz të thonë emrin e tyre etj.). Janë të limituar, thonë të njëjtat gjëra në çdo intervistë, hiqen si engjëllorë e të dashur. Kam vënë re që këta po kështu e kanë famën, të limituar. Sa me shumë interesant e personalitet të jesh, aq më shumë e më gjatë do të të njohin njerëzit. Për maskat e tyre duhet një test si “Big Brother” 24 /24 live dhe publiku do të shikonte të tjera fytyra tek ata.
Po në mjekësi, ekziston ndonjë sekret mes jush që zgjat jetën sa më shumë, apo që e shmang vdekjen sa më shumë të jetë e mundur?
Valer Kolnikaj: Të jetuarit, të ushqyerit, të menduarit shëndetshëm e me kujdes gjithe kohës është sekreti më i madh për të qenë jetëgjatë. Në jetë, secili nga ne do përjetojë gëzim e dhimbje, pozitivitet e negativitet pafund. Mënyra e aftësia për t’i përballuar të gjitha këto do të ndikojë te secili nga ne. Mendoj që njeriu jeton fatin e vet, por duhet të kujdeset shumë e të punojë fort për të jetuar atë që do e siç e dëshiron. Po për ata që bëjnë jetë të shthurur, ç’mendim ke? Pasojat janë të kundërtat e asaj çfarë u përgjigja më sipër.
/Panoramaplus.al