VIDEO/ Uzuni dhe trajneri rrëmbehen nga gëzimi i “golit”, futbollisti i Shqipërisë kujtohet në çastin e fundit të mos heqë fanelën

29 shtatori 2020 është një datë që do të kujtohet për një kohë të gjatë për skuadrën dhe tifozët e Ferencvaroshit, por dhe në veçanti dhe për futbollistin e Shqipërisë Myrto Uzuni. Pas 25 vitesh, kampionët e Hungarisë ia dolën mbanë të prekin fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Ekipi i drejtuar nga Sergej Rebrovi mund të ishte kualifikuar me gol të 25-vjeçarit shqiptar “in extremis”, por për gjyqtarin anësor të takimit me Molden, Uzuni ndodhej në pozicion jashtë loje.

Pasi merr një pasim vertikal nga shoku i ekipit, Uzuni vrapon drejt portës së rivalëve norvegjezë dhe godet saktë brenda portës. Ai ka vrapuar për të hequr fanelën dhe në çastin e fundit ka kuptuar vërshëllimën e gjyqtarit për pozicion jashtë loje duke arritur të shmangë dhe një ndëshkim të mundshëm me karton të verdhë.

Goli dhe emocionet rrëmbyen dhe pankinën e Ferencvaroshit, të cilët nisën të festonin në minutën 90’+3. Trajneri Rebrov vuri duart në kokë, por fatmirësisht, skuadra e tij arriti ta administronte perfekt takimin deri në fund për të festuar në mënyrën më të mirë triumfin e arritur.

Tashmë, do ta shohim futbollistin e Shqipërisë Uzuni në arenën e madhe të Ligës së Kampioneve, ku pritet që ai të japë shumë nga vetja.

PANORAMASPORT.AL