Video/ Reja humb Abrashin para ndeshjes me Spanjën: italiani ndryshon strategjinë stërvitore

Dita e tretë e përgatitjeve në grumbullimin e Barcelonës është shoqëruar me një lajm jo të mirë për kombëtaren shqiptare:

Edoardo Reja humbet një lojtar të rëndësishëm ende pa zbritur në fushë. Shpresat për të patur në dispozicion Amir Abrashin për dy ndeshjet miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë kanë marrë fund, pasi është konfirmuar dëmtimi muskular i lojtarit. Abrashi ishte i vetmi që nuk kishte mbërritur ende në qendrën e grumbullimit të kuqezinjve në Spanjë, përpara ndeshjes me Furitë e kuqe dhe FSHF e kishte bërë të qartë se lojtari ishte në pritje të përgjigjeve të analizave mjekësore. Për fat të keq, kontrollet kanë evidentuar një dëmtim muskular, të njoftuar tashmë nga klubi zviceran i Grasshoppers. Sipas asaj që mësohet, 31 vjecari pritet të mungojë rreth dy javë, gjë që e përjashton absolutisht vënien në dispozicion të Shqipërisë për miqësoret e këtij muaji.

Si zakonisht ekipi dhe stafi kuqezi kanë mbërritur në orën 16:00 në qendrën stërvitore “Royalverd Vall de Bas” për të zhvilluar seancën e ditës në kushte atmosferike mjaft të mira. Grupi është fokusuar një pjesë të mirë të kohës në ngarkesat fizike e më pas ka punuar me pjesën taktike, duke zhvilluar edhe ndeshje kontrolli mes dy grupeve ku janë aktivizuar të gjithë futbollistët.

Grupi kuqezi, ndërkohë, do të vazhdojë me të njëjtin program stërvitor edhe ditën e enjte, ndërsa të premten kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e ndeshjes “RCDE” në Barcelonë.