VIDEO/ Fitues i ri në Moto GP, një italian gjen triumfin e parë, sa afër podiumit shkoi Rossi

Ka përfunduar para pak çastesh Çmimi i Madh i Mizanos në Moto GP. Mungesa e Markez (është dëmtuar, nuk kthehet këtë sezon) ka krijuar një hendek të madh në cilësi, por e ka ndihmuar shumë konkurrencën dhe spektaklin në Moto GP. Ditën e sotme ka patur një fitues të ri në elitën e garave të motorëve.

Ka qenë italiani Franko Morbideli, që ka dominuar dhe ka arritur të fitojë në cirkuitin italian. Në vendin e dytë është renditur Françesko Banjaia, i cili vinte në këtë garë pas një dëmtimi të rëndë, që e la pesë javë jashtë pistave dhe e bëri të humbasë terren.

Italiani për disa xhiro ishte në duel me Rosin, i cili mbajti shumë kohë vendin e dytë, por disa xhiro nga fundi Banjaia arriti ta parakalojë nëntë herë kampionin e Botës. Në fund Rosi bëri maksimumin të mbajë vendin e tretë, duke dueluar deri në metrat e fundit të pistës me Johan Mir të Suzukit, por spanjolli arriti të dalë fitues dhe të arrijë podiumin, duke zbritur Rosin në vendin e Katërt.

Zhgënjimi i dytë radhazi për Fabio Kuartararo, i cili u rrëzua dy herë dhe mbylli garën më të dobët të sezonit. Pas kësaj gare është Doviciozo, që arrin të mbajë kryesimin e renditjes së përgjithshme, gjashtë pikë më shumë se Kuartararo i vendit të dytë. /vipsport.al/