(VIDEO) Albi Nako nuk heq dorë nga komentet bullizuese, këtë herë ironizon peshën e një vogëlusheje në “T’ka mami yll”
Muaj më parë Albi Nako u vendos në qendër të kritikave pas deklaratës bullizuese dhe seksiste gjatë emisionit “E diell”, në rubrikën “Just Dance”, ku ishte në karrigen e anëtarit të jurisë. Asokohe ai krahasoi një nga konkurrentet me personazhe të filmit “Planeti i Majmunëve” dhe bëri “batuta” të papërshtatshme për moshën e saj dhe faktin që ishte beqare.
Por, megjithatë, duket se Albi nuk paska nxjerrë asnjë mësim nga kjo situatë. Një episod i ngjashme ka ndodhur në emisionin “T’ka mami yll”, një spektakël, ku protagonistë janë fëmijët e moshës 10-15 vjeç. Mes pjesëmarrësve është shfaqur një vogëlueshe e cila në vend që të komentohej për performancën e saj në kërcim, mori komente krejt të pahijshme për peshën e saj.
“Ty të pëlqen më shumë të ushqehesh apo të këcesh?”– e pyeti Albi Nako vajzën e cila përgjigjet: “Të kërcej.” Por, Albi vijon sërish duke insistuar: “E sigurt?” E më pas e pyet se cili nga djemtë krah saj e ka trupin më të bukur për balet.
Të evidentosh një fëmijë prej një problemi fizik apo prej peshës nuk është e pranueshme jo vetëm në publik, por edhe në mjedise më të ngushta private. Albit, dhe anëtarëve të tjerë të jurisë, u është dhënë hapësirë televizive dhe për ta inkurajuar talentin e një fëmije, pa cënuar ndjenjat e tyre dhe pa shfokusuar objektivin e programit. Të bësh emision me fëmijë, duhet që qendra e programit të jenë fëmijët dhe jo të bullizohen e trajtohen në këtë mënyrë.
Disa javë më parë Albi tha në një intervistë se kur ka qenë fëmijë e kanë bullizuar. Por, si duket në vend që të reflektojë, duket se Albi po bullizon fëmijët tanimë. Që në rastin e parë(bullizmi dhe seksizmi ndaj konkurrentes 40-vjeçare) shumë persona kërkuan që Albi të lironte karrigen e anëtarit të jurisë. Asokohe, Albi tregoi se e gjitha ishte me skenar në mënyrë që të bënin zhurmë mediatike. Nuk e dimë nëse edhe në këtë rast ka qenë e gjitha me skenar, por hiqni dorë nga të tilla skenare që prekin jo vetëm personat e përfshirë në emision por të gjithë ata që i ndjekin.
/News31