“Veterani” 23 vjeçar që vjen nga Bolivari i Sadikut, zbulohet goditja e fundit e Partizanit në mbrojtje

Roberto Dominguez do të jetë lojtari më i ri i Partizanit, me mbrojtësin 23 vjeçar që pritet të firmosë me 15 herë kampionët e Shqipërisë.

Dominguez është në pronësi të klubit Santa Tecla në El Salvador, ndërkohë që sezonin e fundit e ka mbyllur te skuadra e Bolivar në kampionatin bolivian, ekip ku u transferua së fundmi bomberi shqiptar Armando Sadiku.

Mbrojtësi 23 vjeçar do të jetë një përforcim shumë i rëndësisëhm për teknikun Ilir Daja, pasi ai mund të luajë në qendër të mbrojtës apo si mbrojtës i djathtë, duke i dhënë mundësi teknikut të eksperimentojë më shumë me Esat Malën.

Dominguez është edhe një “veteran” me ekipin përfaqësues, pasi numëron 33 ndeshje dhe një gol me ekipin e parë, ndërsa ka qenë pjesë edhe e U20 apo U21.

Vlera e tij në market është 325 mijë euro, por në Shqipëri ai do të vijë si një lojtar i lirë, një plus më shumë edhe për financat e Partizanit.