Vali Corleone sërish në gjyq për bombën e vendosur në diskotekën e Gjilanit
Princvalentino Corleone, i njohur si Vali Corleone, i akuzuar se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe ka bartur armë pa leje, ka dalë të enjten para Gjykatës së Gjilanit për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.
Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi pasi që Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve procedurale. Në shqyrtimin e parë gjyqësor i akuzuari Corleone ishte liruar nga akuzat në mungesë të provave.
Sipas Prokurorisë të akuzuarit Princvalentino Corleone dhe Gent Qamili pasi ishin marrë vesh në bashkëveprim kanë tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve shkruan Kallxo.com.
Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari Corleone i kishte dhënë të akuzuarit Gent Qamili një çantë në të cilën ishte e vendosur një granatë dore e tipit “A1” dhe e kishte udhëzuar që ta vendosë në diskotekën “Stop”, për çka i kishte premtuar shpërblim prej 300 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Corleone dhe Qamili dyshohen edhe se kanë bartur armë pa leje dhe në kundërshtimin me ligjin për armët.
Në n e sotme, seancë pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Arben Kadriu, i akuzuari Corleone deklaroi se nuk e pranon fajësinë pasi që nuk e ndien veten fajtor.
“Veprat të cilat i lexoi Prokurori janë totalisht gabim, nuk e pranoj fajësinë për këto vepra. Prokurori e ka totalisht gabim”, tha i akuzuari Carleone.
Tutje duke e dhënë fjalën hyrëse, palët në procedurë i dhanë propozimet e tyre. Prokurori kërkoi dënimin, kurse mbrojtja lirimin e të akuzuarit.
Në seancë u dëgjua dëshmitari Gent Qamili, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast dhe e ka pranuar fajësinë, duke u dënuar me dënim me kusht prej një viti dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro. Ndaj tij tani është veçuar procedura.
Dëshmitari Qamili tha se e ka lënë granatën e dorës në diskotekë dhe se qëllimi ka qenë shkaktimi i panikut dhe nuk e ka pasur qëllim ta vrasë apo lëndojë dikë.
“Unë e kam lënë granatën e dorës në diskotekë. Ashtu siç e kam pranuar fajësinë ashtu edhe ka qenë. Qëllimi i vendosjes se bombës ka qenë ndërprerja e koncertit që ka qenë duke u mbajtur. Nuk më kujtohet se kush ma ka dhënë granatën dhe nuk e di se cili ka qenë motivi për ta ndërprerë koncertin”, tha dëshmitari Gent Qamili, ndaj të cilit Prokurori kërkoj qe t’i tërhiqet vërejtja pasi, sipas tij, me qëllim nuk po e tregon të vërtetën, pasi thuajse në gjitha pyetjet e Prokurorit deklaroi se nuk i kujtohet asgjë.