Vajza e Manjola Nallbanit ekselente në provimet e Maturës Shtetërore, gjimnazi publikon rezultatet
“Ju ia dolët, ne ia dolëm! Puna e përbashkët nxënës, mësues e prindër dha rezultate në këtë maturë! 29 maturant të ekselencës me mesataren e 3 viteve 10, sot kurorëzuan edhe të katër provimet me dhjeta. Përgatisim elitën e së ardhmes!”
Ishte ky postimi që gjimnazi “Petro Nini Luarasi” bëri në përmbyllje të rezultateve finale të notave të Maturës Shtetërore. Duke vlerësuar ekselencën, mes tyre shquhet dhe vajza e dytë e këngëtares së mirënjohur Manjola Nallbani, e cila ka shkëlqyer në të katërt provimet. Sindi Tona ka marrë pikët maksimale në Gjuhë Shqipe, Gjuhë e Huaj (Anglisht), Matematikë dhe lëndë me zgjedhje (Qytetari dhe Psikologji). Ndonëse rezultatet shoqërohen me një kod të veçantë për çdo nxënës nga Ministria e Arsimit, gjimnazi me emër në Tiranë ka nxjerrë menjëherë emrat e më të mirëve të shkollës, duke e publikuar në rrjetet sociale.
Ajo që dimë për Sindi Tona, vajzën e këngëtares lirike Manjola Nallbani është se, ajo shquhet për talentin e saj në të shkruar, ku më herët ka sjellë për lexuesit dy botime.
Vetëm 12 vjeçe, Sindi botoi librin e saj të parë “Lundrimi përmes detit të kaltër”. Ndërsa “Njësoj të ndryshëm”, erdhi dy vite më pas në gjininë e romanit.
Urime të dalluarve, mësuesve për punën e mirë dhe qofshin shembuj për pasardhësit e tyre!