“Unë me Nejmarin mundim këdo”, Mbape: Qaja si i marrë për ditë me radhë kur…

Kilië Mbape është gati për Bajernin e Mynihut, ndonëse kavilja e tij u duk sikur e tradhtoi në finalen e Kupës së Ligës, kundër St.Etienit. Sulmuesi francez, i cili u rikthye nga minuta e parë kundër Lajpcigut, do të kishte preferuar në finale Lionin, për një derbi të tërin transalpin, por ndërkohë konfirmon se finalja do të jetë e gjitha për t’u shijuar edhe me gjermanët.

Në të njëjtën kohë, 21-vjeçari, që edhe pse kaq i ri e ka shijuar edhe fitoren e Botërorit, beson te suksesi madhështor i radhës, Liga e Kampioneve, e cila do ta kompletonte karrierën e tij, pavarësisht moshës shumë të re të tij.

LOT DHE SHPRESË – “Finalja ishte dhurata më e bukur që ky vit shumë i vështirë për të gjithë ne mund të na rezervonte. Madje, për një moment mendova se për mua gjithçka mbaroi shumë herët, kur kavilja ndaj St.Etienit u duk sikur më tradhtoi. Nuk e doja veten në ato momente, qaja si i marrë për ditë me radhë, por asnjëherë në sytë e shokëve të mi, pasi nuk doja të demoralizoja askënd.

Nata pas dëmtimit ishte shumë e rëndë, por u struka diku dhe vazhdoja e qaja pa pushim, jo prej dhimbjeve, por sepse nuk doja që të mbyllja sezonin. Por Zoti dhe puna fantastike e stafit mjekësor bënë që unë të rikthehem në fushë dhe të dielën të synoj Ligën e Kampioneve. E dua këtë trofe, të gjithë si skuadër e duam dhe besoj se do të ishte gjithashtu një dhuratë e bukur edhe për të gjithë Francën”, shprehet Kilië Mbape.

PRESION BAJERNIT – Në finale, sulmuesi i PSG-së do të gjejë Bajernin e Mynihut, një skuadër të frikshme, siç pranon edhe vetë Mbape, por ai ka besim se gjithçka mund të ndodhë të dielën në mbrëmje:

“Si francez, do të kishte qenë shumë bukur një derbi me Lionin, por… Ndërsa Bajerni është një skuadër fantastike, shumë e fortë për t’u përballur, ndonëse ne jemi gati për luftë ndaj tyre dhe do të japim gjithçka kemi brenda vetes. E dimë që për ne është finalja e parë, por jemi të fortë dhe nuk kemi frikë nga askush”. Ajo që ra në sy në gjysmëfinalen ndaj Lajpcigut ishte fakti se si Mbape, ashtu sikurse edhe Nejmar, që shpesh kanë përtuar për të ndihmuar skuadrën në mbrojtje, u panë shumë aktivë dhe ishin pikërisht çelësi, për ta bërë shumë të lehtë një ndeshje të vështirë, siç është trampolina e fundit drejt finales së Champions-it.

“Për të fituar trofe të rëndësishëm nevojitet e gjithë ndihma e skuadrës. Edhe imja dhe e Nejmarit, madje, deri në mbrojtje, sepse vetëm kështu mund të shfrytëzosh çdo potencial të mundshëm. Koha për t’u përqendruar vetëm te vetja ka përfunduar, por në të njëjtën kohë unë dhe Nejmar e kemi rritur ndjeshëm bashkëpunimin dhe punën në fushë, ndaj tashmë jemi dyfish më të rrezikshëm sesa një vit më parë. Këtë bashkëpunim, por edhe të gjithë potencialin tonë që kemi si grup do ta shpenzojmë ndaj Bajernit në finale”, përfundoi Mbape.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL