U kap me drogë e mina me telekomandë, si ra në burg vëllai i Alketa Vejsiut
29- vjeçari, Endrit Vejsiu që u kap një ditë më parë më drogë dhe mina me telekomandë në makinë nuk rezulton person me precedentë penalë. Ai nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera dhe siç mësohet, është vëllai i prezantueses së njohur Alketa Vejsiu. Vëllai i moderatoes u kap gjatë operacionit “Telekomanda”, teksa po qarkullonte me një mjet tip “Opel” dhe gjatë kontrollit u konstatuan në gomën rezervë në bagazh katër mina me telekomandë dhe një sasi lënde narkotike. Ai u arrestua menjëherë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka pasur informacion paraprak për veprimtarinë e të riut nga Tirana, i cili do të kryente transportin e minave me telekomandë, që dyshohet se do të përdoreshin nga porositësit për qëllime kriminale.
Të dhënat e këtij operacioni janë bërë publike në një dalje për mediat nga drejtori i Policisë Vendore, Ferdinand Mara. Drejtori Mara njoftoi se në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës kanë finalizuar operacionin e koduar “Telekomanda”.
“Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot-Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’, në një gomë rezervë në bagazh u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë. Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.
Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale ‘Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike’ dhe ‘Trafikim i lëndëve plasëse’”, theksoi në një deklaratë për mediat kreu i Policisë së Lezhës./Lapsi.al