Trejsi Sejdini: Në “Miss Universe” me klip nga jeta ime e përditshme, do shihni se si unë …
18-vjeçarja, mbi 1 e 80 e gjatë, Trejsi Sejdini po përgatitet për të sfiluar mes më të bukurave nga e gjithë bota në garën ku luftohet për kurorën e “Miss Universe”, në 17 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fituesja nga Elbasani e “Miss Universe Albania 2018” ka realizuar klipin ku zbulon jetën e saj të përditshme dhe pamjet nga Shqipëria, si përfaqësuesja e edicionit të 68-të, një kompeticion me 500 milionë shikues që transmetohet “live” në “FOX News”. Për rivalet e saj në garë, interesi për djemtë, kartëmonedhat euro apo diamantet dhe ambicien për t’u pasuruar e për t’i investuar në bamirësi, Trejsi flet për “Panorama Plus”.
Pasi fitove kurorën e “Miss Universe Albania” po përgatitesh për garën botërore në dhjetor që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë përgatitjesh po bën konkretisht për ta përfaqësuar Shqipërinë në mënyrën më të mirë?
Të jesh përfaqësuese e Shqipërisë në një kompeticion të madh botëror kërkon një impenjim të madh, të cilit po mundohem t’i përkushtohem dita-ditës për një prezantim sa më dinjitoz në finalen e madhe. Disa nga përgatitjet e mia kanë lidhje kryesisht me ecjen në pasarelë, përfshirja në punë të ndryshme sociale në të mirë të komunitetit, sete fotografike, me qëllim reklamimin e vendit tim dhe peizazheve të ndryshme. Është një punë në të cilën i gjithë stafi i “Miss Universe Albania” është i përfshirë dhe po më ndihmon që të jem ndër pretendentet kryesore për të fituar.
Je njohur me rivalet, dhe vajzat e cilit shtet të duken vërtet të bukura aq sa mund të jenë pretendentet kryesore për të fituar kurorën?
I kam parë në “Instagram” vajzat konkurrente, dhe pjesa më e madhe e tyre më pëlqejnë, pasi e prezantojnë veten në mënyrë rigoroze dhe të plotë. Ndër to do të veçoja Armeninë, Ukrainën, Spanjën, Hungarinë. U uroj suksese të gjitha vajzave pretendente për të rrëmbyer kurorën.
Je komentuar deri tani si “gangsterja” e Elbasanit. Je vërtet e tillë, apo tashmë ke ndryshuar?
Ky epiteti më ka shoqëruar gjatë dhe të them të drejtën nuk është në shijet e mia. Dua të cilësohem si Trejsi që është përkushtuar në këtë kompeticion me gjithë qenien e saj për të zënë një ndër vendet më të mira.
1.82 m e gjatë dhe je përshkruar në skedën prezantuese si adoleshentja energjike dhe që ka pasion modelingun. E sheh “Miss Universe“ si trampolinë për famë botërore në botën e modës?
Sigurisht që e shikoj “Miss Universe” si një trampolinë suksesi dhe që do më hapë mjaft dyer në mbarë botën. Por jam gjithashtu në dijeni që duhet të punoj fort për të arritur maksimumin tim në këtë rrugë të gjatë suksesi.
Realisht ke ambicie për të fituar “Miss Universe” dhe cilat janë armët e tua të forta?
Ambicia është ajo që më ka bërë më të fortë dhe të “luftoj” për ta rrëmbyer kurorën. Mendoj që vetëbesimi dhe pamja fizike që më ka falur Zoti janë ndër armët e mia më të forta. Shpresoj t’ia dal!
Ç’mund të zbulosh për klipin me të cilin prezantoheni në këtë garë. Veçantia e fabulës së këtij edicioni?
Në këtë fabul jam munduar të tregoj anën time humane, të shfaq sa më shumë peizazhe të Shqipërisë sonë të bukur. Gjithashtu në klip ka edhe pjesë të jetës sime të përditshme. Ne kemi dërguar disa prej tyre dhe është stafi i “Miss Universe”, i cili do bëjë përmbledhjen. Mendoj se do të jetë një klip mjaft interesant, të cilin ju ftoj ta ndiqni!
Padyshim që ndihesh me fat si një vajzë që mban një kurorë miss-i në shtëpi. T’i ka rritur ky fakt pretendimet, qoftë edhe në lidhje me djemtë që të afrohen?
Jam shume me fat që e kam kurorën në shtëpi. E ndiej veten të vlerësuar dhe normalisht që pretendimet e mia janë rritur jo në lidhje me djemtë, por me karrierën time të mëtejshme. Aty jam duke u përkushtuar momentalisht.
Pse mund të të quajmë të bukur dhe pse bishë, ç’e vërteton të parën dhe të dytën?
“E bukur” dhe “bishë” janë dy epitete që shkojnë mirë me njëra-tjetrën dhe i kam dëgjuar shpesh teksa m’i përmendin. Por nuk më takon mua të them pse jam cilësuar si e tillë, por publikut, i cili më shikon si të tillë. Shpresoj të kem të njëjtat epitete edhe në garën e madhe, pasi do të më ndihmonte shumë.
Të tundojnë diamantet dhe kartëmonedhat euro ashtu siç je komentuar në disa media online?
Nuk besoj se ka njeri që nuk i pëlqejnë gjërat materiale, por nuk mendoj se janë prioritetet e mia aktualisht. Mendoj se përfaqësimi i duhur në “Miss Universe” do më ndihmojë në shumë aspekte dhe modelingu do jetë ndër impenjimet e mia kryesore.
Me çfarë biznesi mund të merresh që një ditë të jesh një pasanike e vërtetë me forcat e tua?
Shpresoj të fitoj goxha para dhe me to t’u përkushtohem fondacioneve të ndryshme në ndihmë të fëmijëve në nevojë, pasi e shoh si një ndër problemet më kryesore që bota përballet.
Deri tani ke marrë ndonjë propozim për martesë nga ndonjë biznesmen apo sheik?
Jo nuk kam marrë propozime për martesë, pasi jam akoma 18 vjeçe dhe siç e përmenda nuk i kushtoj shumë rëndësi kësaj teme, pasi nuk është në impenjimet e mia kryesore.
Kur e imagjinon veten të martuar?
Sigurisht pas disa vitesh e shikoj veten time diku larg në një vend të qetë me një familje të madhe./Panorama Plus