Tre debutime, boshti i pandryshuar: ja ndryshimet e paralajmëruara nga Reja

Kundër Bjellorusisë shpenzuan shumë energji dhe katër ditë kohë, pas një pauzë të gjatë, është vështirë që lojtarët të përsëriten. E ka të qartë Edy Reja, që e kishte paralajmëruar edhe në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Lituaninë. Gjithcka në fakt u konfirmua edhe në seancën e fundit stërvitore, ku tendenca e italianit është të freskojë skuadrën duke ruajtur boshtin.

Strakosha nuk është se ka konsumuar energji, në Minsk ku pak ngacmime pati drejt portës së tij. Në linjën treshe të mbrojtjes, do të lëvizë vetëm Veseli, që shfai sërisht pasiguri, duke u zëvendësuar nga Mihaj, që u rikthye për pak minuta sërisht kuqezi, pas debutimit me dëmtim në kombëtare. Natyrisht edhe për shkak të mungesësë së alternativave të forta, Gjimshiti e Dermaku nuk do të lëvizin nga formacioni.

Ashtu si, në fakt, Hysaj dhe Trashi që duket se e ka kapërcyer goditjen e marrë kundër Bjellorusisë. Për ti dhënë stabilitet mesfushës, në kabinën e regjisë do të jetë Gjasula, i palëvizshëm nga formacioni, por duket se është koha për të parë në veprim Lacin dhe Cekicin. Për të dy, Reja kishte vlerësuar faktin që kanë minuta në këmbë dhe mund të jenë vendimtarë.

Të njëjtën konsideratë, italiani ka shprehur edhe për Armando Brojën, që duke parë provën nën ton të Manajt është konsideruar favorit për një fanellë titullari. Në krah të tij do të jetë Armando Sadiku. Një dyshe e re, në krahasim me ndeshjen e parë, por që ka ardhur për shkak të shenjave të lodhjes që shfaqi Cikalleshi në pjesën e dytë në Minsk.