Trashëgimtari i Françeks Radit vjen nga një planet tjetër; Njihuni me metalarin Baltion, që bie në sy për gërshetat e rrallë dhe aventurat
Me flokët e gjata dhe gërshetat unike që i zbresin poshtë mesit, por me stilin dhe grintën skenike të David Draiman, vokalistit amerikan të grupit heavy metal “Disturbed”… Ky është Baltion Radi. Ai është një nga dy fëmijët e muzikantit të ndjerë, Françesk Radi nga martesa e tij me spikeren ikonë të lajmeve, Tefta Radin. Nga skena ku luan me shumë pasion si metalar e deri tek peshkimi apo ngjitjet e guximshme në mal, Baltioni është artisti bohem që ruan profil të ulët në publik, edhe pse është muzikant i talentuar, i cili me bandën e tij “Aten”, ka mbajtur disa koncerte në Tiranë dhe skena jashtë vendit. Baltioni bie në sy për look-n, por edhe për shpirtin e aventurës në eksplorimin e natyrës. Ai është një nga themeluesit e bandës muzikore “Aten”, që luan “death metal”. Anëtarët e bandës janë Enea, Bes, Atris dhe Baltioni, që luan në kitar bas dhe interpreton në back vocals. Grupi “Aten” u krijua në vitin 2011 në Tiranë, ndërkohë që djemtë regjistruan albumin e tyre të parë në studio me titull “Horns of Evil”, në mars të 2014-ës. Djali muzikant me tiparet e brunit është ai që ka trashëguar talentin në muzikë të babait, ndryshe nga motra e tij bionde Anjeza, e cila duket në pamje më afër nënës gazetare, Teftës. Ajo jeton martesë të lumtur me bashkëshortin gjerman në Nuremberg të Gjermanisë, dhe nuk është pjesë e artit dhe as televizionit si dy prindërit e saj të njohur. Ajo është nënë e dy fëmijëve, një vajze dhe një djali ndërkohë që angazhohet me biznesin e familjes, një qendër fitnessi. Ndërkohë që Anjeza vazhdon jetën në Gjermani, Tefta dhe i biri janë vendosur në Melburn të Australisë, një destinacion i planifikuar familjarisht, por që nuk u bë realitet pasi Franko u nda nga jeta papritur, pas një hemoragjie cerebrale pak ditë, pasi ata kishin prerë biletat e udhëtimit.