Transformimi i Fifit i shokon të gjithë, metoda që përdori për t’u shndërruar në femrën me bel të hollë si modelet
Këngëtarja nga Kosova, Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, ka postuar një foto në Instagram dhe i ka bërë të gjithë të fërkojnë sytë, pasi jo vetëm s’është mbipeshë, por ka skalitur format fizike. Në foton ku pozon e ulur në një bar, bie në sy beli i ngushtë njësoj si i modeleve, që do të thotë se ndryshimi në pamjen e saj është drastik.
Kështu, të gjithë kanë nisur me pyetjet e tipit se si u dobësua kaq shpejt dhe kaq bukur, ndërkohë që betejën me kilet e nisi gati një vit më parë. Artistja vendosi ta ndryshonte pamjen e saj dhe siç shihet, ndryshimi ka ndodhur. Në foton e postuar në rrjetin social “Instagram”, ajo duket mjaft elegante. Po si u dobësua Fifi? Këngëtarja ka zgjedhur të dobësohet përmes vendosjes së balonit gastrik në stomak. Ajo ka folur për këtë vendim në ekran, si dhe gjatë live–ve që ka bërë nga “Instagrami” i saj.
Këngëtarja është shprehur se komentet e njerëzve për peshën e saj nuk kanë qenë aspak shtysë për t’u dobësuar, përkundrazi. Më tej, Fifi tha se dobësimi është thjesht për arsye shëndetësore, pasi ndihet shumë e lumtur me trupin e saj.
“Kam futur balonën e gastritit me u dobësu demek. Nuk vendosa me u dobësu se njerëzit më kanë thënë që të dobësohem. Përkundrazi, kur më kanë thënë njerëzit dobësohu, unë i kam shtu dhe 20 kile.
E mora këtë vendim sepse kam pak probleme me shtyllën kurrizore dhe kjo vinte prej mbipeshës. Është dashur të gjej një zgjidhje pakëz më të shpejtë, meqë jam çik përtace dhe nuk i kam shumë qejf palestrat. Gjithsesi, kam filluar pak me ushtrime fizike”, tha Fifi.
Ndërkohë, edhe pse mbipeshë, pak kohë më parë Fifi u bë pjesë e lajmeve rozë për afrimet dhe largimet e saj të bujshme me djemtë e muzikës.
Kështu, pas lajmeve për romancë me reperin 10 vite më të madh, Mc Kresha, tashmë i martuar dhe baba, ajo nisi të afrohej më shumë me Flori Mumajesin, i cili postoi një video ku dukej gati sikur po puthej në buzë me këngëtaren. Por s’kaloi as një muaj dhe Fifi e Flori nuk ishin më miq në “Instagram”. Fshirja që i bënë njëri-tjetrit ngriti dyshime se marrëdhënia e tyre mund të mos ishte si më parë.
E pyetur në lidhje me këtë histori, këngëtarja u tregua disi e rezervuar duke thënë se kjo është një temë “pak si shumë private”. Pavarësisht se asgjë nuk është konfirmuar për një marrëdhënie më shumë se shoqërore mes tyre, kantautori Flori Mumajesi dhe këngëtarja Fifi u kthyen në dyshen më të përfolur në showbizz-in shqiptar, për shkak të një videoje ku shfaqeshin duke performuar shumë pranë njëri-tjetrit.
Më vonë ajo postoi një foto me Kreshën, me të cilin performoi një duet në “Kënga Magjike”, këngë që u tha se lindi nga romanca e vërtetë mes tyre, por që më vonë nuk rezultoi si e tillë. Sa i përket jetës private, Fifi gjatë karantinës i dedikoi një postim të dashurit, me të cilin la të kuptohej se po jetojnë një lidhje në distancë.
Panorama Plus