Tom Cruise në bisedime me NASA-n për të xhiruar film në Stacionin Hapësinor
Tom Cruise nuk ka ndërmend të ndalet. Administratori i NASA-s, Jim Bridenstein ka bërë me dije në Twitter se Cruise është në bisedime për të realizuar një film në bordin e Stacionit Hapësinor. “NASA është e entuziazmuar të punojë me Tom Cruise për një film të tillë!”
“Ne kemi nevojë për figura të njohura për të frymëzuar një gjeneratë të re inxhinierësh dhe shkencëtarësh për t’i bërë realitet planet ambicioze të NASA-s”, ka shtuar më tej Bridenstein. Mësohet se aktori po punon me Elon Musk lidhur me sjellje në jetë të projektit.
Vetë Musk, si CEO i Tesla-s dhe sipërmarrës i SpaceX nuk ka dhënë ende një deklaratë lidhur me lajmin. Madje, as agjentët e Cruise nuk janë prononcuar lidhur me këtë. Aktori 54-vjeçar njihet për dashurinë e tij për sfidat në filma kryesisht aksion. Cruise, si rrallë aktorë, preferon që shumicën e skenave ku nevojiten dublantë, t’i realizojë vetë.