Të huajt interesohen për pronat shqiptare, numri i tyre kap shifra befasuese
Jonian Antoni, Administrator/ CEO i agjencisë Century 21 Albania, ishte i ftuar në programin e mëngjesit Wake Up. Ai ka folur rreth pasurive të paluajtshme, por edhe interesit që të huajt kanë për të blerë prona në Shqipëri. Sipas shifrave në 10 vitet e ardhshme, në varësi të infrastrukturës dhe turizmit, mund të kemi 100.000 mijë pronarë të huaj.
3 deri në 4 mijë të huaj nga 2 milion turistë që e vizitojnë Shqipërinë shprehin interes dhe konkludojnë kontrata blerjeje për pronat, bëhet fjalë për një shtëpi të dytë, apo shtëpi pushimi.
Sipas Antonit : 70% e blerësve aktualë janë fqinjët tanë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ndërkaq, i pyetur se cilat janë arsyet që i shtyjnë të huajt të blejnë në Shqipëri, ai thotë se janë 2 karta fituese, 300 ditë me diell mbi një natyrë shumë të bukur dhe çmimet konkuruese që tregu ofron.
Viteve të fundit është vënë re një fenomen interesant sa i përket blerësve, ata janë diversifikuar potencialisht nga Polonia, Çekia dhe sidomos vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Ai gjithashtu sqaroi se vendi i preferuar i tyre ishte bregdeti, ku interesi ishte më I lartë në vende si Durrësi apo Gjiri i Lalëzit: “Sigurisht që riviera është më e preferuara, por për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe fasiliteteve, të huajt zgjedhin Durrësin dhe Gjirin e Lalëzit duke preferuar pa dyshim objekte të cilat janë në vijën e parë. “ Ndër të tjera Antoni shton se: projektet urbanistike dhe programet turistike duhet të shtrihen në harqe kohore 10 vjeçare sepse aktualisht kemi në treg prona të një cilësie shumë të lartë që do të përmbushin kërkesat për 4 vitet e ardhshme, shkruan Opinion.al.