“The Sun” superlativa për Eugent Bushpepën: Rokeri nga Rrësheni, që mahniti Evropën
Këngëtari shqiptar Eugent Bushpepa, ka tërhequr jo pak vëmendje në “Eurovision 2018” me këngën e tij “Mall”, të cilën e ka kënduar në gjuhën amtare. Bushpepa u ngjit mbrëmjen e kaluar i treti në skenën e festivalit më të rëndësishëm të këngës në Evropë, duke u kualifikuar për në finale. Prestigjiozja angleze “The Sun” i ka kushtuar një shkrim këngëtarit shqiptar, teksa tregon si e nisi karrierën Bushpepa dhe si arriti të ngjitej në skenën e ‘Eurovision’, në Lisbonë të Portugalisë.
Kush është Eugent Bushpepa?
Eugent Bushpepa, i cili shpeshherë njihet dhe si Genti, ka lindur në Rrëshen, Shqipëri, më 2 korrik 1984. Ai ka nisur të këndojë në moshë të re për të realizuar ëndrrën e tij, në 2006-n ai u bashkua në një talk show në “Top Channel” si këngëtar. Që nga ajo kohë, Eugenti ka qnë pjesë e skenave të muzikës shqiptare. Eugenti ngadalë u bë një nga këngëtarët më të njohur të vendit dhe ka mbështetur bende si “Deep Purple” dhe madje ka luajtur edhe me legjendën e “Guns N ‘Roses”, Ron Thal. Pavarësisht se ka hyrë në tregun e muzikës që në vitin 2006, ai nuk ka realizuar ende një album të plotë. Por ai ka disa këngë në repertorin e tij.
Si u zgjodh Eugent Bushpepa për të përfaqësuar Shqipërinë?
Eugent Bushpepa garoi në edicionin e 56-të të Festivalit të Këngës, një konkurs televiziv që zhvillohet për 3 net rresht. Këngëtari u zgjodh nga një juri profesioniste, duke mposhtur kështu konkurrentë të tjerë të suksesshëm.
Çfarë kënge do të performojë Eugent Bushpepa në “Eurovizion 2018”?
Eugent Bushpepa do të këndojë këngën e shkruar specifikisht për “Eurovizion”, të cilën e këndoi edhe te “Festivali i Këngës”. Kënga titullohet “Mall” dhe është shkruar nga vetë Eugenti dhe do të këndohet në gjuhën amtare.