Stërvitja del jashtë kontrollit/ Edgar Çani i “Partizanit” sherr me trajnerin
Nuk kanë fund telashet te Partizani. Sulmuesi Edgar Çani është përplasur ditën e sotme me trajnerin Klevis Dalipi. E gjithë skena ka ndodhur në fundin e stërvitjes, dhe bëhej fjalë për një ushtrim i cili nuk po interpretohej siç duhej nga sulmuesi shtatlartë. Pas këtij momenti ka pasur një debat të ashpër mes Çanit dhe Dalipit. Situata ka dalë nga kontrolli dhe është dashur ndërhyrja e lojtarëve për të shmangur një konfrontim fizik mes tyre. I pari futbollist që ka ndërhyrë për të shmangur përplasjen fizike ka qenë Sulejmani. Kjo nuk është hera e parë, që ndodh një situatë e tillë në skuadrën e Partizanit, pasi kujtojmë që disa ditë më parë, mesfushori Bruno Telushi braktisi stërvitjen pas debatit me trajnerin. Pas këtij incidenti të ndodhur, klubi kryeqytetas pritet të marrë masa të ashpra ndaj Çanit, i cili në këtë sezon ka zhgënjyer me paraqitjen e tij. Përplasjet me trajnerët e Partizanit duket se janë bërë rrugë te klubi i kuq. Edhe mesfushori Lorenc Trashi, pati një mosmarrëveshje me ish-trajnerin Starova. Përplasja e Trashit me Starovën ndodhi gjatë miqësores me skuadrën gjermane Berliner AK 07, ku trajneri i kërkoi Trashit që ta zëvendësonte, pas kësaj ka vazhduar debati verbal dhe, në fund, janë thënë fjalë nga më të rëndat në adresë të njëri-tjetrit, shkruan Panorama Sport.