Skandal në Kamerun, federata heton mbi 44 futbollistë: dyshime mbi moshën e identitetin
Në një vendim të paprecedentë, federata e futbollit të Kamerunit ka vendosur të thërrasë 44 lojtarë nga 8 klube të ndryshme për një seancë dëgjimore për të hetuar mbi deklarimet e rreme të supozuara në lidhje me moshën dhe identitetin e tyre. Nuk është hera e parë që dyshime të këtij lloji ngrihen për futbollistët afrikanë dhe federata e Kamerunit ka vendosur të sqarojë situatën.
Lojtarët në fjalë duhet të shoqërohen nga presidentët e klubeve të tyre dhe do të dëgjohen personalisht (me ose pa avokat) midis 4 dhe 8 korrikut të ardhshëm. Të gjithë ata dyshohen, siç thuhet në shënimin e lëshuar nga federata, se kanë siguruar “dokumenta false duke gënjyer për moshën dhe identitetin”. Në shënim specifikohet gjithashtu se ata që nuk marrin pjesë në seancë do të përballen me pasoja të rënda.
Në Afrikë ndodh shpesh të shohësh skuadra të të rinjve plot me lojtarë që në realitet e kanë kaluar moshën e lejuar për të luajtur në kategori të tilla. E vendimi i Kamerunit, në këtë kuptim, mund t’i hapë rrugën një sërë nismash të ngjashme edhe në vende të tjera afrikane. Kështu duket se ka nisur rinovimi i premtuar dhe promovuar nga Samuel Eto’o, pasi ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit në dhjetor 2021 u zgjodh president i federatës së futbollit të Kamerunit.