Shkëndije Mujaj: Po mendoj të sjell në jetë një kopil, lus Zotin që fëmija im të ketë gjenetikë të fortë
Pas suksesit të këngës “Cash”, këngëtarja nga Kosova, Shkëndije Mujaj, po u dedikohet koncerteve dhe jetës personale. Duke e jetuar jetën mes muzikës dhe modës, ajo komentohet për format dhe pasurinë. Për “Panorama Plus”, ajo rrëfen jetën e ekspozuar, format e rrumbullakosura, marrëdhënien me Zotin e meshkujt dhe planin për t’u bërë nënë.
Si e ke nisur Vitin e Ri 2019, mes atmosferës së qetë familjare apo shfrenimit me shoqërinë?
Vitin 2019 e kam nisur si zakonisht, duke u dhënë përparësi prindërve. Atë natë vendosa të rri në shpi deri në orën 02:00 dhe më pas dola pak me shoqërinë, kuptohet atë të ngushtë familjare. Dola thjesht për të ndërruar ambientin, por jo se festova e shfrenuar…
Koncertet e tua janë shoë më vete. Çfarë kujton nga koncerti i fundit për vitin që lamë pas dhe ku do të jetë ai i ardhshëm?
Nuk mund ta quaj koncert, por mbrëmje ose party ku isha e ftuar speciale… Por natyrisht me muzikë live ku gjenden edhe këngëtarë të tjerë të rregullt nëpër club-e; si diskoteka, restorante, shishabars etj.. Çfarë më bën përshtypje mua është që unë vërtet kam qëndruar larg publikut dhe e shoh një interesim ose befasi në aspektin pozitiv për t’iu larguar ndonjëherë xhelozive dhe grackave të disa kolegeve. Gjithsesi, unë vazhdoj si Shkëndije t’i argëtoj dhe ta ruaj energjinë pozitive në situata të tilla.
Dikur identifikoheshe si brune, por tani je totalisht bionde. Si e ndjen së brendshmi këtë ndryshim?
Në fakt, unë jam zeshkane dhe kështu kam qenë deri para dy viteve. Dukja ime si zeshkane ka një arrogancë të paparë dhe askush nuk kishte guximin të më fliste mua, nëse unë nuk u jepja një buzëqeshje ose t’u flisja vetë e para. Dhe kështu vendosa të bëhem pak bionde, ta provoj kështu sepse në fakt nuk jam e tillë në karakter. E si bionde, të gjithë fillimisht më flasin rusisht kur shkoj në vende të tjera, por prapë më thonë dukesh “më e butë pak tani”. Edhe në këtë version u dukem shumë mendjemadhe, edhe pse unë personalisht e pëlqej këtë ndryshim për pak, nuk e di edhe për sa.
Shumë personazhe të njohur në botë, që kanë bërë ndërhyrje apo botoks ndër vite, po mendojnë si mund t’i largojnë nga trupi. Si e parashikon të ardhmen e vajzave shqiptare VIP që kanë transformuar pamjen e tyre ndër vite?
Jo rastësisht kam forma të tilla, pasi unë në fakt gjithmonë kam qenë me forma femërore, por jo të bëra. Gjithsesi, tani mund të them se jam shumë krenare që kam arritur t’i shtyj shumë femra të shkojnë në fitness. Madje, edhe disa gazetare, koleget tuaja aty në Tiranë që dikur para 10 viteve shkruanin për mua se kisha bërë ndërhyrje me silikon, sot janë të martuara e pasi kanë bërë vithet, i hedhin fotot në rrjetet sociale. Pra, pikërisht ato që dikur më përqeshën, sot më imitojnë. Pra, i përshëndes me këngën “Sillu sillu botë e vjetër!”
Natyrisht që bie në sy forma jote fizike. Çfarë bën për të pasur forma kaq bombastike në çdo kohë?
(Qesh) S’e di, por mund të them se vetëm unë ngela më natyralja, pasi akoma kam buzëqeshjen e njëjtë, ende nuk më është shtrembëruar fytyra siç u ka ndodhur vajzave 20-vjeçare. Çfarë mund të them është se thjesht është masakër ndaj vetes me vetëdëshirë. Është për të ardhur keq, nëse nuk e di secila femër se çfarë ndërhyrje mund të bëjë dhe në çfarë moshe është e nevojshme të bëhet diçka. Është thjesht për të ardhur keq! Stop being a monkey girls! I urrej buzët e tepruara dhe e urrej çdo gjë që ta merr natyralitetin.
Kur ulesh për t’u falur, ndodh që të pasmet e tua të çorientojnë personat e tjerë që shkojnë të falen në xhami?
Për fat të mirë, ne jemi të ndarë në femra dhe meshkuj gjatë adhurimit. Plus e kemi për obligim të mbulojmë trupin në tërësi, përveç fytyrës dhe duarve. Ndaj, nuk ka vend për çorientim.
Gjithmonë ke folur për lidhjen e veçantë me Zotin. Për çfarë i lutesh atij?
Lidhja ime me Zotin është më shumë dhe më e madhe sesa mund ta imagjinoni! Për ta kuptuar këtë është një shembull i lehtë. Kur unë qëndroj me shoqëri duke bërë qejf e humor, më duket se u vonova dhe shpejtoj të ulem dhe ta ndjej praninë në zemrën time. Nuk mund ta përshkruaj, por ata që e kanë këtë afërsi me Zotin e dinë për çfarë po flas. Zoti është i madh, dorëzojani zemrën sepse për atë është krijuar. Mos fusni dikë tjetër përveç krijuesit se rëndë keni gabuar. Për çfarë i lutem? Nuk i kërkoj shumë, sepse më vjen turp nganjëherë përderisa m’i jep ato çfarë unë dua, ndërsa unë thjesht akoma nuk kam arritur t’i bëj çfarë ai kërkon. Por prapë i lutem që këtë ndjenë që kam të ma përforcojë, sepse kjo është vërtet dashuri.
Ka ndodhur që ke rënë në depresion e s’ke gjetur dot shpëtim sa të mendosh të kryesh vetëvrasje?
Depresion jo, por më ka ndodhur kur i jam larguar meditimit ndaj Krijuesit dhe më ka rrethuar çdo e mirë mua. Por nuk më mjaftonte asgjë, nuk të çon peshë nëse zemra është bosh, pasi humbet kuptimi jetësor tërësisht, nëse nuk ke kuptuar tre gjëra: Pse na krijoi, çfarë duhet të bëjmë këtu në tokë dhe ku do shkojmë më pas. Nëse nuk e gjen përgjigjen e saktë të këtyre pyetjeve, ndihesh e humbur dhe padyshim bie në depresion, herët apo vonë. Në fakt, në këtë rast zemra është e vdekur komplet dhe kjo të çon në humbje.
Je e dashuruar këto kohë dhe sa e vështirë është për ty të mbash një lidhje stabël?
Të them të drejtën, unë kam disa lidhje. Ndaj duhet ta definoni pyetjen!
Pra, je aq e dashuruar sa për të qenë gati për të krijuar familje dhe është sjellja e një fëmije në planet e tua për jetën?
Unë po mendoj në këtë drejtim, por pa krijuar keqkuptime, për mua, të sjell në jetë një “kopil” është gjëja më e lehtë që mund ta bëj. Por e mendoj dhe lus Zotin që fëmija im të ketë një gjenetikë të fortë njësoj si të parët tanë, që më bëjnë mua të ndjehem krenare. Natyrisht, secila femër ka ëndrrat e veta, ndërsa unë të mijat! Ia kam lënë Zotit, pasi nuk dyshoj në caktimin e tij. Kështu që i them vetes “Keep calm and jeto!” Falenderimet i shkojnë Zotit sepse ai nuk të harron e i ka planet më të mira se unë për veten time! Je shprehur gjithmonë se je një vajzë që s’të mungojnë paratë. Me kë pasanik do e krahasoje pasurinë tënde? Në fakt, unë kurrë nuk kam thënë: ”Jam e pasur”. Kam thënë isha, jam dhe do të jem e pavarur financiarisht./Panorama Plus