Sara nuk e njihte Ledrin dhe ia shtyu takimin për 1 vit
Ledri dhe njerëzit që e rrethojnë e kanë të vështirë ta besojnë se Sara nuk e njihte reperin. Në një intervistë për “A live night” në Top Channel, Ledri bëri me shaka thonjëzat me gishta kur u shpreh se Sara i ka thënë se nuk e njihte kur u takuan për herë të parë.
“Më Sarën jam njohur krejt rastësisht në një koncert në Gjermani, ku shoqet e Sarës donin të vinin të më shihnin live. Sara nuk më njihte. *Bën shenjën me gishta*. Më dinte këngët, por nuk e dinte kush isha. Ka ardhur me shoqet dhe kur erdhën të bëjnë foto, më ka pëlqyer Sara,” tha Ledri.
Ledri – një nga djemtë më të adhuruar nga vajzat – ndoshta nuk e priste që Sarës të mos i interesonte për të. Si djalë që i pëlqejnë sfidat, e nisi këtë sfidë. “[Më ka pëlqyer Sara] ndoshta sepse nuk ia ndiente për mua,”tha ai.
“Më pas nisëm të flasim në Instagram, derisa e kam takuar. Për herë të parë e takova në Shqipëri. Rreth një vit ma ka shtyrë [takimin], më ka munduar derisa e kam takuar,” shtoi reperi.
Ledri u shpreh se ndryshe nga herët e tjera, nuk e kishte problem që historinë me Sarën ta bënte publike. “Publike u bë sepse na kanë parë njerëzit bashkë, kanë bërë video dhe ka shkuar virale. Mund t’i ndalja, por kam thënë ‘Nuk më intereson, le t’i shohin’. Herë të tjera më pengonte nëse e dinin, me Sarën nuk më bezdiste.”
“Sikur ta kem ditur që sot do të ishim bashkë,” theksoi ai.
Ledri vuri në dukje se ai dhe Sara janë natyra të ndryshme – ai më i mbyllur si tip, ndërsa Sara më ekstroverte – dhe plotësojnë njëri-tjetrin. Ata janë prindër të një vajze, Poem Blu.
Anabelmagazine