Rrëfimi tronditës i Lolës para “MissTrans Albania”: Mes nesh super meshkuj që i shihni me të dashurat në krah
“Miss Trans Albania” një spektakël përtej imagjinatës të shtunën në orën 21:00 , nata më e zjarrtë e vitit 2017-ës”, është statusi që drejtuesja e LGBTI-I, Xheni Karaj ndau dje me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Po kush janë vajzat transgjinore nga Shqipëria në këtë garë bukurie lind pyetja? Lola, është njëra prej tetë konkurrenteve të guximshme. Në një intervistë për “Historia Ime” ajo ka dhënë detaje nga jeta e saj. Ajo është 23 vjeç, dhe tregon se që në fëmijëri e ka ndjerë se kishte lindur në trupin e gabuar. Lola rrëfen se ka një marrëdhënie të mirë me familjen, të cilët e kanë pranuar dhe mirëkuptuar edhe kur gjatë një lidhjeje serioze i ka prezantuar të dashurin e saj. Story. Al ju jell rrëfimin e plotë të Lolës, që synon kurorën e Miss-it.
Pse Lola? Kur e ke vendosur përfundimisht që do të quhesh Lola?
E kam vendosur para tre vitesh, atëhere lindi personaliteti i Lolës, siç është edhe sot. Aty kisha finalizimin tim të pamjes, në kuptimin që isha shumë e kënaqur me pamjen time si Lola. Emri Lola dhe pamja erdhën të dyja në të njëjtën kohë, lindi Lola bashkë me emrin dhe pamjen, diçka që nuk mund t’i ndash. Lola si emër, si pamje, si personalitet kanë lindur të treja bashkë dhe janë të treja një. Më përpara kam pasur disa pseudonime derisa arrita tek Lola, në fakt gjithë filozofia nuk është tek Lola por është tek mbiemri sepse unë quhem Monroe. Lola është një emër i shkurtër, shumë femëror dhe ky emër mu duk shumë i shkurtër në mënyrë që njerëzit ta mbanin mend. Ndaj më pëlqente të kisha një emër të përhapur me një mbiemër të veçant siç është Lola Monroe.
Kur e ke ndjerë ti veten që ishe Lola apo dikush tjetër?
Pa e vënë emrin Lola, zanafilla e të ndjerit në një trup të gabuar ka qenë shumë e hershme. Unë nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë ndryshe, të kem pëlqyer vajzat, nuk mbaj mend të kem pëlqyer ndonjëherë makinat, nuk mbaj mend të kem pëlqyer ndonjëherë gjërat e meshkujve. Që në kopësht filxhani Im ishte rozë me pika të bardha, madje pati debat për të. Zysha i thoshte mamit që djali zgjedh filxhan rozë ndërkohë që për djemtë është blu. Kur isha në shkollë nuk isha e pjekur seksualisht por ama kuptoja që ndihesha ndryshe pranë vajzave, ndihesha sikur isha në shtëpinë time, shumë komode ndërsa me djemtë kisha një ndjesi tjetër. Kjo lloj diference më bëri të kuptoja se nuk jam djalë, nuk jam vajzë, atëhere çfarë jam? Isha konfuze derisa e kuptova që dua të jem vajzë. E kuptova sepse ndihesha siç ndihen femrat me njëra tjetrën kur janë në shoqërinë e njëra tjetrës.
Ndërkohë, fizikisht le të themi, kur ka qenë dalja jote e parë hapur si vajzë?
Unë faktikisht kam punuar për paraqitjen time që e vogël, që në moshën 12-13 vjeçare nisa të ndiqja një dietë ndryshe nga djemtë e tjerë, ndryshe nga ajo që më sugjeronte familja. Në mënyrë që mos të zhvillohesha nga ana e muskujve, mos të zhvillohesha nga ana trupore, të kisha gjithnjë një trup elegant. Dalja ime e parë si vajzë ka ndodhur para 3-4 vitesh. Unë kisha provuar të vishesha në shtëpi, po thjesht kisha provuar një buzëkuq, një fustan, por jo një pamje të plotë. Më pas provoj bashkë me një shoqen time të vishem, të lyhem, pashë veten timë në pasqyrë dhe u dashurova. Pastaj gjeta dhe flokët e duhura dhe që prej atëhere mbaj këtë model flokësh.Që atëhere ka qenë një dashuri sepse pashë diçka tek vetja që kisha nevojë ta bëja, ta shihja prej kohësh. Më dukej sikur Lola më erdhi nga shumë larg, nga një univers tjetër dhe unë e kisha pritur, nuk është se unë e preka dhe e mora. Unë thjesht e kisha pritur për të ardhur.
Po sa i përket familjes, si është marrëdhënia juaj?
Në fillim famlja ime e mori vesh se unë pëlqej vetëm djemtë dhe specifikohesha si gej. Më pas iu shpjegova që jo vetëm se unë kam orientim seksual ndryshe por që unë kam identitet gjinor ndryshe. E kishin mbështetur faktin që unë pëlqej meshkujt dhe faktin që më pëlqen të vishem si femër nuk iu duk shumë tabu sepse ishin mësur me të. Por diçka më ka prekur një herë pasi po flisja me motrën dhe po i shpjegoja që në të ardhmen dëshiroja të realizoja operacionet, të jem gjithë kohës si femër, pra të jem vetvetja gjatë gjithë kohës. Motra tha një fjalë “do na marrë malli shumë” dhe kjo për mua ishte shumë prekëse por ama motra më tha gjithashtu se mbetet jeta jote, ajo që dëshiron të bësh ti është trupi yt, je ti, është shpirti yt, e di ti si i menaxhon këto gjëra.Mami në fillim fare pati një lloj shoku, komunikimi u ftoh pak sepse ishte problem që ajo nuk dinte se si të vepronte, kishte përpara një fakt të ri. Ndërsa babi nuk ka qenë asnjëhere mbështetës dhe akoma vazhdon të jetë i tillë. Por me kalimin e viteve gjithë familja e kuptoi që unë isha po ai, thjesht e kisha tregur por unë isha po i njëjti, thjesht kisha qenë me një sekret. Dhe e panë që në radhë të parë kishte rëndësi lumturia ime dhe vendosën që unë të isha i lumtur duke qenë vetvetja.
A ke dikë në familje që e ke pikë të dobët?
Po, unë e quaj shërbetin e shtëpisë dhe ajo është motra e vogël, ajo është jeta ime. Madje ka pasur shumë raste kur unë me vullnetin tim jam përpjekur të kamuflohem vetëm që ajo mos të ndiejë presionin. Kjo sepse në periudhën kur kanë ndodhur gjithë këto gjëra ajo ka qenë shumë e vogël duke nisur nga mosha 10-vjeçare dhe deri përpara dy vitesh e ka pasur problem faktin që unë mund të lyeja vetullat ose për ndonjë veprim në rrugë… Ajo nuk ma shprehte por unë e kuptoja që e kishte problem. Unë vete zgjidhja të kamuflohesha vullnetarisht, por më pas ajo erdhi vetë tek unë dhe më tha “O Lola pse nuk i rrit flokët?” ose “O Lola pse nuk e bën këtë apo atë” duke më dhënë ndihmë. Që atëhere unë kam pasur le të themi gjithë botën, kur kam pasur mbështetjen e saj isha gati të përballesha me gjithë botën.
Po në shkollë ose në përgjithësi në qytetin tënd, e kanë ditur për identitetin tënd?
Si e kam kalaur dhe si e kam mbështetur unë këtë pjesën në shkollë është një histori më vete dhe është një histori shumë interesante sepse arrita që të isha një adoleshente që intimidoja njerëzit. E ndaja shoqërinë në dy grupe. Unë isha person që shkoja në shkollë me geta rrjetë, shkoja me kambale, flokët i kisha të lyera me shumë ngjyra. Në fillim kur përballesha me njerëzit për pamjen time, kishte sharje, dhunë verbale e jashtëzakonshme, arriti deri në dhunë fizike. Kam qenë rebele, kundërpërgjigjesha. Në fillim fare zura shoqëri me shumë vajza në shkollë, vajzat sillnin çunat. Kam qenë gjithnjë person shumë i hapur dhe gjithnjë flisja, flisja e kisha njerëz që vinin dhe më dëgjonin me kuriozitet. Kisha njerëz që më shanin ose që thoshin “çfarë ke ti me të” pasi isha shumë “cool” për ta. Kam kaluar aventura të bukura por dhe aventura të shëmtuara po ashtu, pasi kam pasur raste kur më është përplasur sanduiçi mbrapa kurrizit. Në atë kohë pija sepse ishte e vështirë të përballoja trysninë e trefishtë: trysninë e shkollës, familjes, shoqërisë sepse sado që një familje të mundohet të të kuptojë, në një ambjent të tillë e ka dhe ajo të pamundur, ka dhe ajo sfidën e vet.Ka qenë një trysni e fortë që më ka detyruar të pija, të thyeja kodin e veshjes dhe faktikisht këto gjëra më kanë penalizuar pasi unë u përjashtova nga shkolla, nga një nxënëse e shkëlqyer, unë ndërpreva gjimnazin.
Përmende pjesën që ke nisur të pish. Kur ke filluar ekzaktësisht?
Kam filluar të pi që 14 vjeçe, atëhere pija alkool dhe për dy arsye kryesore. E para ishte trysnia, dëshiroja një vend për tu larguar, diçka që të më deformonte realitetin dhe zgjodha alkoolin. Duke pirë më dukej vetja akoma më “cool”. Vendi im i preferuar në Tiranë ku unë pija ka qenë “Public House”, ishte shumë mirë, ishte lirë.
Po më pas kjo dëshira për të pirë kaloi nga të qenurit “cool” në varësi? Çfarë ndodhi?
Kaloi nga të qenurit “cool” në varësi dhe më pas në abuzim. Kisha keq-organizim, gjëja për të cilën pija më pengonte sepse unë nisa të konsumoja jo vetëm alkool por edhe marijuanë. Kjo i komplikonte gjërat shumë, fillova të lija veten dhe planet e mia pas dore, duke u futur në një rrjet kaotik nga i cili nuk kisha asnjë përfitim, moral, monetar, social. Njerëzit të cilët më shihnin më përpara si “cool” nuk më shihnin më si të tillë por më shihnin si abuzues, si një pijanece, sikurse e shihja dhe unë veten time dhe më bëri të kuptoja se e kisha gabim.
Sa zgjati kjo periudhë?
Nga 14 deri në moshën 20 vjeçare mund të themi, pra diku tek 6 vite. Nuk mbaj mend ndonjë ditë esëll gjatë atyre 6 viteve. Dhe kur isha esëll ndonjë ditë më thonin “uau qenke esëll”.
Tani që je larguar nga alkooli dhe marijuana si ndihesh?
Ndihem shumë mirë, ndihem në fokus të plotë sepse jam e përqëndruar në ato çfarë duhet të bëj, në ambiciet dhe perspektivat që unë kam dhe nuk më shtyn që unë ta gjej lekun në një mënyrë të shpejtë. Më shtyn që unë të krijoj plane, perspektiva dhe të kem gjëra për të bërë. Kur i futesh marijuanës futesh në depresion. Tani kam obligime të tjera si përshembull dua të vazhdoj shkollën përsëri, dua të vazhdoj një profesion. Kam shumë plane për të bërë tani që kam lënë marijuanën.
Kur ka qenë kontakti yt i parë me një person të komunitetit?
Kjo histori është shumë e bukur. Mund të kem qenë diku tek 15 vjeçe ndërsa ajo ka qenë 13 vjeçe. Në fillim fare lyheshim, ose më sakt lyenim diçka të vogël si përshembull vetullat për të pirë kafe. Aty e kuptuam se neve na pëlqente të lyheshim. Miqësia me të ka lindur që ditën e parë kur jemi njohur, por kemi pasur marrëdhënie siç kemi edhe sot. Kishim diçka të brendshme që e kuptonim njëra-tjetrën, diçka të brendshme që na bashkonte me njëra- tjetrën pa hapur gojën. Për mua kjo ishte magjike dhe tani ai person është për mua familje.
Keni qenë në një shkollë?
Jo, nuk kemi qenë në një shkollë, por kemi qenë në një lagje.
Por si ka qenë kontakti i parë me të, çfarë të shtyu t’i flasësh?
Ne kishim një shok të përbashkët dhe ai më thotë “Hej jam me një shokun tim, hajde këtu në kafe”. Unë shkoj dhe e komplimentoj për vetullat. Ai më kthen që janë të konturuara dhe aty e kuptoj që edhe ai lyhet. Më pas i them se edhe unë jam lyer dhe që atëhere ne nisëm të flisnim për tualetet dhe për të ndjerit femër për 4 orë të mira në kafe. Ishte një lloj konsolidimi që njerëzit mbase duan vite të tëra për të gjetur shoqëri të tillë, kurse neve na mjaftuan vetëm 4 orë. Jemi rritur shumë, kemi ndihmuar njëra tjetrën për tu rritur.
Ndërkohë kur mblidheni ose uleni në kafe apo diku tjetër me vajzat e komunitetit, për çfarë diskutoni më shpesh?
Ka shumë muhabete për të cilat ne diskutojmë por transat përgjithësisht janë shumë konkurrues me njëri-tjetrin: nga ana e pamjes, nga ana e të dashurit etj. Kjo është ndër pikat që më shqetëson më së shumti tek vajzat sepse i kthen në armike me njëra-tjetrën kur ndërkohë ne duhet të jemi bashkë. Ka dhe shumë gjëra tek të cilat ne jemi së bashku, siç është diskriminimi. Nëse kemi një vështirësi, ka shumë prej nesh që nuk përplasen dot në familjet e veta dhe ne bëhemi mjeke, financiere, kujdestare, çfarëdolloj gjëje kur një person është në vështirësi nga grupi i transgjinoreve. Nëse dikush pëson një aksident, mund të mblidhemi tek shtëpija e saj për tu kujdesur për të. Nëse dikush ka problem me qeranë, do kontribuojmë të gjitha vajzat që të paguhet qeraja. Ne nuk gjejmë asnjë lloj mbështetjeje përveç se kemi njëra-tjetrën.
Çfarë planesh ke për të ardhmen? Ti më the pak më përpara se doje të filloje shkollën?
Planet e mia janë të shumta për të ardhmen. Duke parë situatën kaq problematike për transat, kam dëshirë që duke e ndjerë më kollaj që të flas për këtë temë pse jo të aspiroj të bëhem zëri i tyre. Siç kemi gej, lezbike diskret kemi dhe transa diskret. Kemi dhe transa që janë shumë femëror, të bukur por që në mëngjes janë super meshkuj, mundësisht me të dashurën përkrah dhe kjo vetëm për arsyen që ta mbulojnë identitetin e tyre. Veten në të ardhmen e përfytyroj pjesë e aktivizmit por edhe të kontribuoj për komunitetin.
Cili është mesazhi yt për personat e komunitetit, për ata që mund të jenë në fazën e tyre të parë të daljes hapur?
Unë mbaj diçka të fshehtë dhe diskrete vetëm nëse kam turp nga ajo, por kjo është diçka për të cilën nuk ke pse të kesh turp nga vetja. Nuk po i bëj asgjë të keqe askujt, është trupi im e di unë çfarë bëj me të. Ajo që dua të them është se më vjen shumë keq për djemtë dhe vajzat transgjinorë që janë kaq të mbyllur. Shpresoj ta kuptojnë një ditë që nëse duan të bëjnë diçka për veten është të dalin hapur dhe ta ndiejnë veten jashtë kafazit moral të shoqërisë. Dhe kur ta fillojnë ta ndiejnë këtë jo jua premtoj, por është absolute dhe e sigurtë që do të ndihen shumë mirë.