Rrëfehet Ilazi, burri që është i martuar me dy gra: “Po të sëmuret njëra, shkoj te tjetra. S’janë xheloze”
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live” ka qenë së fundmi Ilaz Laskaj nga Peshkopia, i cili u bë i njohur për publikun shqiptar për shkak se është i martuar me dy gra. Ai u celebrua në vitin 2001 me Anifën dhe në vitin 2005, u martua me Manushaqen.
Ilazi ka 7 fëmijë nga këto dy martesa dhe shumë shpejt do të bëhet baba për herë të tetë. Gjatë lidhjes me Skype për “Shqipëria live”, ai ka treguar se e mori gruan e dytë sepse e para nuk i bënte fëmijë.
Për më tepër, Anifa ka thënë se shkoi bashkë me Ilazin për t’i kërkuar dorën Manushaqes. “Shkova bashkë me burrin për të kërkuar dorën e gruas së dytë. U ndjeva mirë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Manushaqja ka thënë se ishte e dashuruar me të. “Kur erdhën në shtëpi i prita mirë, edhe prindërit po ashtu. Prindërit e patën të vështirë në fillim, por pastaj u mësuan”, shtoi ajo.
Nusja e dytë tregoi se nuk janë fare xheloze për njëra-tjetrën dhe se ja kalon shumë mirë me Anifën. Kjo e fundit tregon se donte vetë që burri i saj të merrte grua të dytë, pasi nuk bënte fëmijë. “Unë i thashë që nuk dal nga shtëpia dhe pranova që ai të merrte një grua tjetër”, vijoi ajo.
I pyetur se si e ndan kohën me dy gratë, Ilazi u përgjigj: “5 ditë me njërën, pesë me tjetrën. Po të sëmurët njëra nuk ka problem me kaluar kohë më shumë me tjetrën. Nuk mërziten”, ka thënë ai.
“Nuk janë zënë asnjëherë. I dua të dyja njësoj, të dyja janë të mira dhe nuk e mbajnë mendjen te xhelozia. Gratë nuk kanë telefon, nuk e duan”, shtoi burri i shtëpisë. “Nuk kam celebrim, bashkëjetojmë. Nuk kemi patur mundësi për të bërë dasmë. Nuk jam veshur nuse. Arifja është veshur nuse. Nuk e pata problem fare që nuk jam veshur nuse, fati kështu më erdhi.
E lumtur jam, deri tani ja kalojmë shumë mirë e shpresojmë që edhe fëmijët t’ia kalojnë mirë. Fëmijët i thërrasin teta.
I bëjmë të dyja punët bashkë”, ka thënë Manushaqja. Ndërkohë të pyetur nëse mendojnë për të bërë fëmijë tjetër, Ilazi u shpreh se i “kanë vënë kapakun”.