Rivalja e Gent Bushpepës në Eurosong viziton Tiranën, ja si e komenton këngëtarin
Tirana ishte stacioni i radhës i turneut promovues të këngës së Azerbajxhanit në Festivalin Europian. Aysel Mammadova, e prezantuar në art si Aisel, do të këndojë në skenën e Eurovision-it këngën “X my heart”. Kënga flet për fuqinë që secili ka brenda vetes. “Mendoj se na duhet një këngë e tillë pasi ka shumë negativitet rreth nesh,” – tregon 28 vjeçarja. Autorja e vargjeve Sandra Bjurman ka menduar për një lojë fjalësh në tekstin e këngës me emrin e këngëtares, sepse aisel në gjuhën azere do të thotë “udha e hënës”.
Aisel ka studiuar për piano klasike ndërsa këndon muzikë jazz, ndaj pjesëmarrja në këtë garë muzikore dhe të kënduarit të një kënge pop është një përvojë e re për të. Në lidhje me këngëtarin Eugent Bushpepa dhe për këngën e tij “Mall”, ajo shpreh gjatë qëndrimit në Tiranë se e pëlqen mjaft këngën shqiptare dhe energjinë që ka. “Eugenti është një këngëtar shumë i mirë dhe ka një zë të mrekullueshëm. I uroj fat dhe shpresoj ta shoh në finale.” E pyetur mbi përshtypjet e para me të ardhur në Shqipëri, këngëtarja rrëfen se nuk ka mundur të shohë shumë dhe ka në plan të kthehet sërish. “Kam përshtypje shumë të mira nga vendi juaj, koha është shumë e mirë, njerëzit po ashtu, natyra e bukur. Më pëlqen shumë.”
Edhe pse pritshmëritë nga prezantimi i saj në Festivalin Europian nuk kanë si synim domosdoshmërisht çmimin e parë, performanca e saj gjithsesi do të jetë impenjative. Në skenë do të shoqërohet nga katër backvocalist-ë të cilët edhe do të kërcejnë bashkë me të. Në vazhdim të karrierës së saj muzikore, Aisel do të vazhdojë të krijojë muzikë sepse është edhe kompozitore e këngëve të saj, si dhe punon për një album me grupin e saj në Azerbajxhan. /Story.al/