Rikthimi në Tiranë i Rita Orës pas 6 vjetësh, ç’ndodhi mbrëmë në shesh
Sheshi “Skënderbej” u mbush mbrëmjen e të dielës teksa në skenë doli edhe shqiptarja me famë botërore Rita Ora, e cila rikthehet për një koncert në Tiranë pas 6 vitesh. “Do të këndoj diçka speciale për ju sonte, një këngë që është pjesë e albumit tim më të ri. “Soul Survivor”, mesazhi i së cilës është të jesh një mbijetues dhe të jesh krenar për atë që ti je”, u shpreh Rita Ora.
Ylli ndërkombëtar me origjinë nga Kosova kohët e fundit ka qenë shumë aktive me debutime dhe koncerte ngado. Ajo ka qenë subjekti i mediave më prestigjioze sidomos pas publikimit edhe të hitit të saj më të fundit “Girls”, këngë të cilën e këndoi edhe mbrëmjen e kësaj të diele para mijërave fansave të saj të mbledhur në Sheshin Skënderbej për të ndjekur live “Ora e Super Muzikës”.
Por ajo ka befasuar teksa ka kërcyer për pak momente edhe në ritmet e muzikës tradicionale shqiptare. E ndërsa koncerti po i afrohej fundit, ajo ka shprehur dëshirën për të kënduar sërish përpara publikut shqiptar.
Kosova ka dominuar skenën e ngritur për këtë mbrëmje festive në sheshin Skënderbej, teksa para Rita Orës ka kënduar një tjetër zë brilant e figurë e njohur në muzikën shqiptare, Kida.
Këngëtarja, aktorja dhe modelja Rita Ora gjithmonë e ka shprehur lidhjen e saj të ngushtë me Shqipërinë dhe Kosovën. Jo vetëm për të festuar pavarësinë e tyre ne shesh, por edhe duke performuar ne Vatikan për vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës, sipas Top Channel.
Ajo është ambasadore nderi e Kosovës dhe e pyetur në çdo dalje publike nuk e ka fshehur kënaqësinë dhe krenarinë e të qenit shqiptare.