Rezultuan negativ në testin e drogës, fituesit e “Eurovision” reagojnë dhe ironizojnë francezët

Dje u vërtetua se këngëtari i grupit “Maneskin”, fitues në “Eurovision”, nuk kishte konsumuar kokainë siç u përfol. Në rrjete sociale qarkulloi një video ku Damiano David përkulej mbi tavolinë dhe të gjithë dyshuan se ai kishte marrë lëndën narkotike. Mirëpo këto dyshime u hodhën poshtë një herë e mirë pas rezultateve të testit.

Ndërkohë që një pjesë e mirë e njerëzve besonin fort që David kishte konsumuar kokainë, megjithëse ai e mohoi në një konferencë për mediat ku tha se thjesht po merrte një copëz xhami që kishte thyer kitaristi i grupit, artisti ka reaguar për herë të parë pas lajmit që konfirmoi se ai kishte të drejtë.

Vokalisti ka publikuar rezultatin e testit në InstaStory dhe ka ironizuar Francën. “Voila”, ka shkruar ai në postim, duke ironizuar shtetin francez, që kërkoi skualifikim e Italisë për shkak të akuzave për konsumim kokaine.

Ndërkohë grupi “Maneskin” ka reaguar përmes një postimi në Feed.

“Zitti e Buoni renditet e 9-ta në listën botërore të Spotify. Është kënga italiane më e dëgjuar, diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Siç ju thamë, Rock’n’Roll nuk vdes kurrë”, shkruajnë fituesit e “Eurovision 2021. /News31