Reja bën ndryshime për sfidën e revanshit, ja si pritet rreshtimi. Vrioni ul Manajn në stol, Doka “projektohet” titullar

Shqipëria humbi një tjetër mundësi për të marrë kreun e Grupit C4 në Ligën e Kombeve. Barazimi pa gola në Kazakistan ka lënë një shije jo pozitive, mirëpo nuk ka kohë për të “qarë” pikët e humbura. Dje, Kombëtarja ka bërë një stërvitje në Kazakistan, të fundit atje, teksa paraditen e sotme fluturon drejt Lituanisë. Shqipëria ka për të zhvilluar një ndeshje… revanshi.

STËRVITJA

Dje në fushë kanë zbritur lojtarët që nuk kanë marrë minuta në Kazakistan, ose edhe tre zëvendësimet që luajtën më pak sesa dhjetë minuta. Për stafin e Kombëtares, siç bën me dije FSHF, të gjithë lojtarët janë në dispozicion, me përjashtim të Amir Abrashit që mori një goditje në kavilje rreth minutës së 85-të. Mesfushori është i vetmi që për momentin nuk mund të llogaritet i gatshëm për sfidën e revanshit ndaj Lituanisë, si i vetmi kundërshtar që e ka mundur Shqipërinë.

Dje është punuar kryesisht me goditjet standarde, nisur edhe nga numri i cunguar i lojtarëve në stër- vitje, pasi për titullarët në Kazakistan ka pasur një program rikuperimi dhe rigjenerimi të muskujve.

FLUTURIMI

Shqipëria përshkroi për thuajse gjashtë orë e gjysmë në ajër distancën nga Tirana në Kazakistan. E teksa edhe ndeshja e radhës është sërish në transfertë, kuqezinjtë sot përshkruajnë një tjetër distancë të largët, rreth 4852 kilometra. Ky fluturim, nga Almati për në Vilnus të Lituanisë, përshkon një distancë rreth 4852 kilometra dhe zgjat përafërsisht 5 orë pa ndalesë. Një fluturim i lodhshëm që kryhet gjatë paradites, për t’i lënë vend stërvitjes zyrtare në mbrëmje.

FORMACIONI

Trajneri Reja pritet që të bëjë disa ndryshime edhe në këtë ndeshje, pasi të shohë në stërvitjen zyrtare gjendjen e të tijve. Një prej tyre lidhet me gjasë në rast mungese të Abrashit, ku në vend të tij projektohet një mes Qazim Laçit ose Endri Çekiçit. Në mungesë të mesfushorit të Frajburg, i cili u dëmtua në fund të sfidës në Kazakistan, mund të mos ketë as ndryshim të formacionit në 3-4-1- 2, por të vijohet me skemën 3-5-2.

Teksa në portë pritet sërish kapiteni Berisha, në treshen e mbrojtjes, trajneri me gjasë do t’i japë minuta Mihajt në vend të Dermakut dhe treshja plotësohet me Gjimshitin dhe Kumbullën. Nga krahët, mund të ketë debutim të Albi Dokës në të djathtë dhe Lenjani në krahun tjetër të rikthehet titullar në Kombëtare.

Në mesfushë, Bare pritet të konfirmohet dhe përkrah tij Kallaku dhe një mes Laçit ose Çekiçit në rast se Abrashi nuk ia del. Për sulmin, gjithashtu priten ndryshime. Vrioni mund të zërë vendin e Manajt dhe përkrah tij të aktivizohet një mes Brojës dhe Seferit.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL