Regjisori Xhoslin Rama bën prift Ndriçim Xhepën!

Në rrethin e kineastëve dhe artistëve shqiptarë po tërheq vëmendjen traileri i një filmi të ri artistik të gjinisë dramë, me titull “Legjenda e Bastunit” të regjisorit të njohur, Xhoslin Rama. Xhirimet e filmit nisën në maj 2021, dhe tashmë në këtë fillim të Vitit të Ri 2022, filmi është gati për premierën e tij së shpejti. Me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, filmi artistik me metrazh të gjatë me titull “Legjenda e Bastunit”, me skenar të Mihal Rama dhe Xhosli Rama, është prodhim i Shtëpisë Kinematografike “ERE FILM”. Në synopsin e filmit rrëfehet historia e Çeskut, një klerik françeskan shqiptar, që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës nën persekutimin komunist. Edhe pse i plakur e i rraskapitur, kur del nga burgu, nuk e ka harruar porosinë që i ka lënë mësuesi i tij. Bastunin e At Palit duhet ta hedhë në lumë. Ajo çka ndodh më tej e bën Çeskun të kuptojë se amanetet nuk janë thjesht amanete. Regjisori i shumë filmave të tjerë mjaft të arrirë, Xhoslin Rama ka arritur të mbledhë një kast mjaft të zgjedhur aktorësh mes të cilëve: Ndriçim Xhepa, Vasjan Lami, Amos Zaharia, Amri Hasanlliu, Klodiana Keco, Ervin Bejleri, Kristaq Pilo, Jorida Meta, Edvin Mustafa, Ergys Çekrezi, Dalvin Qyteza, Nikoll Prendi, Doris Murati, David Paze, Astrit Hatellari, Emel Braçja, Ermira Gjata, Deljana Topulli, dhe Armand Xhuli. Filmi është një kthim pas në kohë, një atmosferë kjo e realizuar më së miri nga kamera e Shpëtim Bacës, kostumografinë e Stela Laknorit dhe make Up artist nga Reti Mehmeti.

Nga disa foto që janë realizuar në sheshxhirim tërheq vëmendjen pikërisht Ndriçim Xhepa në rolin e priftit, duke intriguar edhe më shumë audiencën për rolin e tij të ri krejt të pazakontë në kinema. Që pas mbarimit të studimeve për Dramë në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1979, Xhepa u shqua për rolet e tij të spikatura si aktor i Teatrit Kombëtar në gati 50 role. Në vitet ’90-të ai interpretoi në role protagoniste edhe në produksione të pavarura, si “Kujdes! Kafshon…” të Gernit, “Mbretëresha e bukur” të Mc. Donagh, “Nesër nisemi për në parajsë” të T. Dervishit dhe “Tradhëti bashkëshortore” të Pinterit. Pjesë e rëndësishme e karrierës së tij janë dhe rolet kinematografike, me shumë role në karrierën e tij. Xhepa vazhdon të jetë i preferuari i regjisorëve, duke qenë protagonist kryesor në disa prodhime paralelisht. Pas filmit me metrazh të shkurtër “Më në fund në shtëpi”, Xhepa ishte protagonist në filmi “Ada” i Spartak Pecanit, e shumë roleve të tjera. Edhe pse i ka kaluar të 60-at ai mbetet një nga aktorët më atraktivë në botën e kinematografisë. Ndër rolet më të pëlqyera të tij përmendim këtu: rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982), rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Ndriçim Xhepa u lind në Tiranë, më 21 janar 1957. Ndër rolet e tij në teatër mund të veçojmë: Arseni në Dramën “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahës, Prometeun në dramën me të njëjtin emër të Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën e pasionante të Romeos në tragjedinë e famshme të Uilliam Shekspirit: “Romeo dhe Zhuljeta”. Për interpretimet e roleve e tij, ai është shpallur 3 (tre) herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’ në vitet: 1987, 1989 dhe 2000; 2 (dy) herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ me 1986 dhe 1995. Gjithashtu, ai mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.

Pikën kulminante të karrierës, ai e arriti me interpretimin e rolit të Fernandos në vitin 1995 në Dramën “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit në komedinë “Kapitulli i Dytë” e Nail Saimonit, ku ndryshoi formatin dhe u fut në zhanrin e komikes dhe lirikes . Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi. Ai ka interpretuar dhjetëra kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën psikologjike në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982). Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse ishte ajo e Alush Beut në filmin “Dasma e Sakos”. Me rolin e një prifti në filmin më të ri me metrazh të gjatë në gjininë dramë “Legjenda e Bastunit” të Xhoslin Ramës, do të shohim një tjetër dimension të aktorit të njohur.